Eliminimi në xhiron e parë nga Digitalb Kupa e Kosovës në futboll duket se është kufiri që e kanë kaluar futbollistët e Hajvalisë dhe kaq ka mjaftuar që strukturat e klubit të vihen në lëvizje.

Hajvalia ka qenë finaliste në edicionin e fundit të kësaj gare dhe ambiciet kanë qenë të mëdha edhe në këtë edicion, ndonëse drejtues të klubit kanë mbetur të pakënaqur nga angazhimi që kanë parë nga lojtarët në fushën e Klinës.


Xhavit Pacolli, drejtor i klubit ndjehet i zhgënjyer me sjelljen e disa lojtarëve, por rezervohet nga emërtimi i tyre. "Angazhimi i futbollistëve të caktuar në takimet e fundit ka qenë për çdo kritikë", tha ai për Sporti1.

Ai premton ndryshime, por nuk ngutet të tregoja cilat do të jenë ato. "Presim që në fillim të muajit dhjetor të kemi një takim me aksionarët e klubit, ku do të sqarohet çdo gjë pas raportit që do të paraqesim. Ndryshime jam i sigurt se do të ketë, sepse kjo situatë nuk mund të vazhdojë më", tha Pacolli.

Hajvalia ka qenë lider një pjesë e stinorit vjeshtor, por në fund pas 16 xhirove përfundoi garat në vendin e dytë me dy pikë më pak se kampioni vjeshtor, Ferronikeli. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app