LAJMI I FUNDIT:

Pri Film Fest, epiqendra e kinematografisë për një javë në kryeqytet: Nata finale, çmimet dhe rrëfimet e aktorëve pjesëmarrës

Pri Film Fest, epiqendra e kinematografisë për një javë në kryeqytet: Nata finale, çmimet dhe rrëfimet e aktorëve pjesëmarrës

Ka përfunduar me sukses edhe edicioni i 10-të i festivalit të filmit, Pri Film Fest.

Edhe këtë vit pati prurje të shumta kinematografike e shumë premiera botërore, të cilat i dhanë një dimension tjetër këtij festivali filmik, ndër më të mëdhenjtë në vend.


Telegrafi përcjelli nga afër këtë ngjarje, e cila për një javë të tërë i ka dhënë një frymë tjetër kryeqytetit, deri në kurorëzimin e natës finale, e cila u shënua më datë 22 gusht, e diel, në hapësirat e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Pamje nga atmosfera në natën finale të Pri Film Fest

Çifti Fatos dhe Vjosa Berisha edhe këtë herë ishin kujdesur që gjithçka të mos mungojë, duke u kujdesur kështu edhe për prezenecën e emrave të njohur nga kinematografia botërore.

Nga to mund të veçohen fituesja e çmimit “Oscar” në vitin 1978, Vanessa Redgrave, si dhe skenaristja e filmit të famshëm, “Danish Girl”, Lucina Coxon.

Njëra ndër organizatoret e këtij festivali, Vjosa Berisha, tha për Telegrafin se ndjehet e lumtur që edhe këtë vit pati mundësinë ta finalizojë me sukses një punë të madhe, të bërë për edicionin jubilar të PriFestit.

“E kemi pasur një javë të gjatë në kuptimin e aktiviteteve të cilat janë bërë, filmave që i kemi prezantuar, mysafirëve të cilët i kemi pritur në festival si dhe audiencës. Kështu që përmbyllja për ne është një natë e veçantë, ka shumë përgjegjësi sigurisht, sepse ofrojmë të gjitha ato çmime, janë një numër shumë i madh çmimesh që ofron sonte. Ka edhe emocion patjetër, por në anën tjetër jemi të lumtur se kjo javë ka kaluar tamam në frymën e festës, kështu që presim edhe mbrëmja e përmbylljes të jetë në atë frymë. Synimi jonë si Pri Film Fest është që të mbesim një festival ndërkombëtar i mirëfilltë i Kosovës që do t’i ofrojë filmbërësve të Kosovës, atë se çfarë i ofron prej vitesh, por jo vetëm Kosovës por edhe regjionit, ta kemi atë pamjen, përmbajtjen, cilësinë tonë unike, dhe të vazhdojmë të zhvillohemi, që të rritemi dhe të ofrojmë më shumë”, tha Vjosa Berisha.

Vjosa Berisha, organizatore e Pri Film Fest

Ndërkohë, koordinatorja tjetër e festivalit Rina Krasniqi, gjithashtu shprehur mirënjohje për emrat ndërkombëtarë që nderuan Pri Film Festin me prezencën e tyre, ndërsa tregoi se ishte një javë e gjatë me shumë sfida, por një punë e përmbyllur me sukses.

“Këtë vit Pri Film Festi ka dhuruar shumë gjëra, shumë aktivitete, evenimente diskutimi, masterclass e mbi të gjitha 50 filma, ku gjashtë prej tyre kanë qenë premiera botërore, kemi pasur tri premiera internacionale dhe dy premiera evropiane, dhe 14 premiera regjionale. Pra jemi munduar që përmes njësive të ndryshme organizative, të ndara në segmente të ndryshme me e funksionalizu javën e Prishtinës, që t’i ofrojmë audiencës tonë, ekspertëve mundësi shumë të mëdha. Dhe gjithmonë dihet se java e PriFestit është plot organizime që i japin jetë Prishtinës, dhe në të njëjtën kohë i jep freski ditëve të nxehta të Prishtinës. Ne jemi shumë të lumtur që sivjet na ka ardhur edhe mysafirja speciale e nderit e festivalit, znj.Vanessa Redgrave, së bashku me mysafirët e tjerë, e cila është skenaristja e “Danish Girl”, Lucina Coxon, e cila vjen për herë të dytë në festival. Kështu që pak a shumë ne jemi shumë krenarë, për gjithë këto gjëra që i kemi sjell në edicionin e 10-të, apo jubileun e parë të festivalit në Prishtinë”, tha Rina Krasniqi për Telegrafin.

Rina Krasniqi, koordinatore e Pri Film Fest

Një nga filmat më të përfolur të viti, “Martesa”, i cili trajtonte temën e një dashurie të ndaluar, ishte po ashtu pjesë e Pri Film Fest.

Këngëtari i njohur i muzikës ‘rock’. Genc Salihu, njëherësh një ndër aktorët me rolin kryesor në këtë film, tha për Telegrafin se eksperienca në një film ishte pa dyshim një nga më të mirat në jetën e tij, ndërsa ua sugjeron të gjithëve që nëse u vjen për dore një ofertë e tillë, të mos e refuzojnë kurrë.

“Super, shumë njerëz, unë jam shumë entuziast. Po doket shumë mirë, është ndarja e çmimeve dhe unë mezi po pres të shoh se çfarë do të bëjmë. Filmi “Martesa” për mu ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, po ka qenë edhen një prej përvojave më të mira që kam pas. Edhe të gjithë njerëzve që nuk janë aktor me profesion, iu kisha thënë që nëse keni ndonjëherë ndonjë rast të aktroni dikund: teatër, në klasë përpara mësueses, kudo, merreni sepse është shumë terapeutike, dhe ju bën shumë mirë”, tregoi këngëtari Genc Salihu për Telegrafin.

Genc Salihu, këngëtar dhe aktor në filmin “Martesa”

Ndërkohë, regjisorja e këtij filmi, Blerta Zeqiri gjithashtu tregoi se e bën të lumtur fakti që filmi i saj ka pasur mundësinë e promovimit në festivalet ndërkombëtare, ndërsa njëlloj po mirëpritet edhe në Pri Film Fest.

“Edhe ky edicion, si çdo edicion tjetër është shumë mirë, ka shumë njerëz, ka pas shumë filma të mirë. Kjo është qejf i madh për neve të fushës së filmit, sepse kemi shumë pak raste kur kem mundësi me u mbledh me filmbërësit në Kosovë, dhe është shumë mirë si çdo vjet. Jam e lumtur që patëm mundësinë që filmin “Martesa” ta kishim pjesë të PriFestit. Filmi është duke udhëtuar edhe nëpër festivale botërore të filmit, dhe jam e lumtur që të njëjtin promovim po kemi mundësinë ta sjellim edhe në Kosovë”, ka thënë Blerta Zeqiri për Telegrafin.

Blerta Zeqiri, regjisore e filmit “Martesa”

Në natën finale, e pranishme u pa edhe aktorja e njohur nga Peja, Albulena Kryeziu-Bokshi, e cila ndonëse e tërhequr nga kinematografia për shkak të mëmësisë, ajo gjeti kohë që të ishte prezente për të parë finalen e këtij festivali, me të cilin siç thotë ajo, është emocionalisht e lidhur.

“Unë me PriFestin kam lidhje emotive, prej edicionit të parë e kam përcjell, përveç edicionit që ka qenë në Tiranë, të cilin unë nuk kam shkuar ta përcjell. Por përndryshe, për çdo vit po bëhet mirë e më mirë. Këtë vit nuk ka mundur ta përcjell tërë festivalin, për shkak se e kam djalin e vogël, dhe normalisht që shumë filma më kanë ikë. Por shpresoj se vitin e ardhshëm nuk do më mbesin kaq filma pa i parë sikur këtë herë. Sonte një natë shumë e mirë, shumë e këndshme, dhe definitivisht një Bravo shumë të madhe Vjosës edhe Fatos Berishës për gjithë këtë punë që e bëjnë, për gjithë këtë festival madhështor, që po na mbledh këto ditë të ngrohta të verës, që shumica e jetës kulturore të them kushtimisht është e vdekur, ky festival po e ngjall qytetin dhe po sjell emra të mëdhenj nga e gjithë bota”, tha ndër të tjerash Albulena Kryeziu-Bokshi.

Albulena Kryeziu-Bokshi, aktore

Aktorja e cila ka bërë shumë bujë viteve të fundit, Arjola Demiri, më shumë e njohur për publikun si ‘Xhbanja’ e “O Sa Mirë”, u gjend gjithashtu në TEatrin Kombëtar të Kosovës për natën finale të Pri Film Fest.

Në një bisedë për Telegrafin, ajo tregoi se u ndje e entuziazmuar që pati rastin që në këtë festival të promovojë filmin “Klithma”, në të cilin ka një rol kryesor, ndërsa u shpreh shumë modeste sa i përket çmimeve.

“Kam ardhur të marrë pjesë edhe në natën finale, pasi kam qenë aktive gjatë të gjitha netëve. Mirë, po duket shumë mirë, po ka pozitivitet, le të shohim tani. Kam pasur rolin në filmin “Klithma” si protagoniste, një ndër rolet kryesore. Sa i përket çmimeve, jam modeste, është hapi im i parë në karrierë, kështu që jam modeste dhe nuk pres asgjë. Kam marrë komente pozitive dhe kjo është më e rëndësishmja: prej njerëzve të thjeshtë dhe prej artistëve, kolegëve, kështu që kjo është më e rëndësishmja si hap i parë”, tregoi aktorja tropojane, Arjola Demiri.

Arjola Demiri, aktore

Aktori Adrina Morina i cili këtë vit nuk ishte në konkurrim, tha se festivali Pri Film Fest, ia kujton atij festivalin “Skena Up”, të cilin dikur në rini si studentë bashkë me shumë miq të tij e kishin organizuar, por që për mungesë buxhetore, ky festival është shuar.

Ai tha se ndjehet mirë që këtë vit pati prurje të mira në kinematografinë kosovare, veçanërisht në filmat e metrazhit të shkurtër, ndërsa i uron Pri Film Festit jetëgjatësi.

“Nuk kam hyrë ende brenda, duke qenë se nuk pres ndonjë shpërblim sonte, iu lash vend atyre që presin shpërblime dhe iu dëshiroj suksese, veçanërisht atyre konkurrentëve shqiptarë. Kam fjalën për artistët tanë të cilët kanë marrë pjesë, veçanërisht sektorin e filmave të metrazhit të shkurtë, të cilët kanë qenë shumë të mirë. Pa dashur të veçoj shumë, por mund të flas për filmin e Korab Lecajt, “Klithma”, mund të flas për filmin e Besim Ugzmajlit, e shumë artistëve të tjerë. Veçanërisht artistët e rinj kanë sjellë një frymë tjetër në filmin tonë. Ndoshta bëra pak të padrejtë pse i veçova këta emra, por kategoria e filmit të shkurtë vendor ka qenë shumë e fortë, dhe besoj që ka me qenë më i miri. Është edicioni i 10-të, ky festival po vjen duke u rritur çdo herë e më shumë. Unë e mbaj mend për herë të parë, në festival të madh të filmit në Sarajevë, ka qenë edicioni i shtatë dhe më ka pas pasionuar ideja e tij. Me atë energji e kemi pas nisur festivalin ‘Skena Up’ të studentëve, kam qenë student atëherë, festival ky i cili është ndërprerë viteve të fundit, për shkak të financave. Po shpresoj që Pri Film Festi ka me pas jetë më të gjatë se sa “Skena Up”. Ky është edicioni i 10-të. Nuk ka qenë aspak e lehtë as për Vjosën e Fatosin që t’i rrinë karshi 10 vjet këtij festivali, aq më shumë kur e dimë që ndihma, suporti, e institucioneve është jo gjithherë e mjaftueshme”, tha Adrian Morina për Telegrafin.

Adrian Morina, aktor

Aktori Rifat Sinani, i cili ka qenë pjesë e stafit organizativ të Pri Fest, tregoi se java e këtij festivali në Prishtinë ka shkuar mirë dhe gjithçka sipas planit.

“Ky është edicioni i 10-të. Është viti i dytë/i tretë që marr pjesë në festival. Jam menaxher i lokacioneve, tani momentalisht jam duke u marr me Teatër Kombëtar, me shfaqjen e filmave, me titra, me gjithçka tjetër. Një atmosferë shumë e mirë, shumë interesante, kemi mysafirë prej çdo vendi. Kështu që po mendoj se është një edicion i mirë dhe shumë i suksesshëm i festivalit”, tha Rifat Sinani për Telegrafin.

Rifat Sinani, aktor

Aktori Eshref Durmishi, një nga producentët e filmit të suksesshëm “Shok”, ka thënë për Telegrafin se e ka shijuar në maksimum javën e PriFestit, ndërsa e cilëson këtë festival si një nga më të suksesshmit në Ballkan.

“Fatkeqësisht nuk kam pasur mundësinë që ta ndjekë të gjithin nga fillimi, natën e parë kam qenë në hapje. Ka njerëz shumë, ka filma të mirë. Prifesti është një festival i cili mund të konkurrojë me festivalet në Evropë dhe vend tjera. Organizimi dhe gjithçka është në rregull”, tha Eshref Durmishi.

Eshref Durmishi, aktor

Duke arritur të nominohen në kategorinë e filmit më të mirë të metrazhit të shkurtë në mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve “Oscar” në vitin 2016, Eshref Durmishi thotë se ai dhe të gjithë kolegët e tij punojnë pa fund për të arritur një sukses të tillë, ndërsa i pyetur se a tentojnë ta ripërsërisin suksesin e një filmi sikur ai i filmit “Shok”, ai përgjigj me vullnet duke thënë “Po”.

“Po, normal, çdo punë që ne e bëjmë synojmë të bëhet pjesë e festivaleve ndërkombëtare. Kjo do përkushtim shumë të madh, edhe shumë mund. Unë jam duke punuar diçka që shpresoj që në të ardhmen të shkoj prap atje dhe pse jo ndoshta të fitoj. Nuk do të thotë vetëm unë, por ka shumë filma të mirë në Kosovë që po bëhen dhe që mund të kem sukses”, tha më tej Durmishi.

Mbrëmja finale e Pri Film Fest

I pranishëm gjatë javës në PriFest ishte edhe aktori i njohur nga Prizreni, Besnik Krapi, i cili thotë se fakti që pati rastin të takohet me kolegë dhe producentë të huaj, tregon për të mirat që sjell festivalit Pri Film Fest.

“Fakti që jam duke folur me një koproducente tani, tregon që festivali ka një lloj efekti në industrinë e filmit, përveç programit që njerëzit munden të shohin filma të mirë. Është edhe pjesa e forumit, e cila ndikon fuqishëm në indsutrinë e forumit në Kosovë”, ka thënë aktori Besnik Krapi për Telegrafin.

Besnik Krapi, aktor

Nata finale e Pri Film Fest 2018 u përmbyll me një ceremoni të madhe të ndarjes së çmimeve, ku u shpërblyen shumë aktorë, projektet kinematografike, e ndër to edhe vet organizatorët e festivalit, të cilët pranuan çmim nga aktorja e nderit, Vanessa Redgrave.

Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në Pri Film Fest:

“Çmimi ndërkombëtar për një film/aktor kosovar” shkon për Genc Salihu për rolin e tij në filmin “Martesa”.
Çmimi për regjisorin më të mirë të filmave ballkanik shkon për Stevan Kumandarev për regjinë e filmit “Directions”, Bullgari.
Çmimi “Aktorja më e mirë” (Ballkan) shkon për Silma Mahmuti, aktoren e “The Witch Hunter”, Serbi.
Çmimi “Aktori më i mirë” (Ballkan) shkon për aktorin e “Histori majë kulmi”, Xhevdet Doda, Kosovë.
Çmimi special i jurisë shkon për filmin “Anchor and Hope”, Spanjë.
Filmi më i mirë i programit të filmave evropian zgjedhet filmi “Wajib”, Palestinë, me regji të Annemarie Jacir.
Filmi më i mirë i programit të filmave të metrazhit të mesëm shpallet filmi “Éclair”, Maqedoni.
Filmi fitues i programit të filmave dokumentarë shpallet filmi “Mr.Gay Syria”, Turqi.
Filmi fitues i zgjedhur nga programi i filmave studentorë shpallet filmi “Dielli”, Kosovë/Itali, nga Mjellma Istrefi.
Fituesi i zgjedhur nga juria e mediave për këtë edicion të PriFest-it është filmi “Anchor and Hope”, Spanjë.
Fituesi i zgjedhur nga juria FIPRESCI për filmin më të mirë ballkanik është filmi “Directions”, Bullgari, me regji të Stefan Kumandarev.
Juria e pavarur e studentëve të Kosovës në programin e filmave të metrazhit të mesëm shpall fitues filmin “Mary”, Kroaci.
Fituesi i çmimit për gradim të ngjyrave është “Looking for Venera”, Kosovë.
Fituesi i çmimit të shërbimeve ‘Audio Post-produksion’ është “Money for a funeral”, Bullgari.
Çmimi “Vanessa Redgrave Best Pitch” shkon për “The Walnut Tree”, me regji të Feysal Soyal. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Luka Modric bleu një apartament luksoz në Zagreb - aty ku pritet të kthehet për të jetuar

Luka Modric bleu një apartament luksoz në Zagreb - aty ku pritet të kthehet për të jetuar

Magazina
Sara Gjordeni tregon se në cilin muaj të shtatzënisë është

Sara Gjordeni tregon se në cilin muaj të shtatzënisë është

Magazina
Është zbuluar e dashura e Jude Bellingham, modelja holandeze tashmë jeton në Madrid

Është zbuluar e dashura e Jude Bellingham, modelja holandeze tashmë jeton në Madrid

Magazina

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Dua Lipa merr vëmendje me pallton e saj të gjatë dhe me prerje të çuditshme në rrugët e New Yorkut

Dua Lipa merr vëmendje me pallton e saj të gjatë dhe me prerje të çuditshme në rrugët e New Yorkut

Magazina
Ish i dashuri i Princeshës Beatrice gjendet i vdekur në një dhomë hoteli në Miami

Ish i dashuri i Princeshës Beatrice gjendet i vdekur në një dhomë hoteli në Miami

Magazina
Kalo në kategori