Luzha: Më afër kam qenë me LPK-në se me LDK-në, por për të vepruar në Kosovë duhej të ishe me LDK-në

Berat Luzha ka folur edhe për angazhimin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe raportet me strukturat e LPK-së gjatë viteve ’90.
Luzha tha se pas krijimit të LDK-së, edhe ai iu bashkua kësaj partie me bindjen se shqiptarët duhej të bashkoheshin në një lëvizje të përbashkët.
“Edhe unë kam shkuar andej duke menduar se duhet të bashkohemi si popull, në një lëvizje edhe që si të bashkuar të luftojmë dhe të kemi suksese më shumë”, tha ai.
Ai tregoi se në vitin 1992 ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të atëhershëm dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Megjithatë, Luzha tha se kishte pasur dallime në qasje me partinë ku bënte pjesë.
“Unë mund të them se kisha një qasje ndryshe nga vetë partia ku bëja pjesë”, u shpreh ai.
Duke folur për raportet mes LDK-së dhe LPK-së, Luzha deklaroi se politikisht ndihej më afër LPK-së, por se rrethanat në Kosovë e kishin bërë të nevojshme që të ishte pjesë e LDK-së.
“Për nga botëkuptimi politik, më afër kam qenë me LPK-në se me LDK-në, por atëherë edhe për të qëndruar në Kosovë, për të bërë diçka, për të vepruar diçka, duhej të ishe me LDK-në, përndryshe si LPK ka qenë shumë vështirë”, tha Luzha.
Ai shtoi se, pavarësisht angazhimit në LDK, e kishte përkrahur LPK-në.
“Megjithatë, unë e kam përkrahur LPK-në deri në fund, për sa kam ditur dhe sa kam mundur”, deklaroi Luzha./Tv Dukagjini/






































