Trump i kërkon Apple të ndryshojë emrin e Liqenit Ontario në “Lake America” në hartat e saj

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që kompania Apple të ndryshojë emrin e Liqenit Ontario në “Lake America” në platformën e saj Maps, në përputhje me urdhrin ekzekutiv të nënshkruar së fundmi nga presidenti amerikan.
Sekretari amerikan i Brendshëm, Doug Burgum, deklaroi për Fox News se Trump “ka kontaktuar drejtpërdrejt me Apple”, duke shtuar se ndryshimi në hartat e kompanisë mund të shfaqet së shpejti.
Kërkesa vjen pasi Google tashmë ka ndryshuar emërtimin për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, përdoruesit në Kanada vazhdojnë ta shohin liqenin me emrin tradicional Lake Ontario, pasi ai kufizohet mes provincës kanadeze Ontario dhe shtetit amerikan të Nju Jorkut.
Vendimi i Trump ka shkaktuar reagime në Kanada. Kompania energjetike Hydro One, me bazë në Toronto, kërkoi falje pasi emri “Lake America” u shfaq në hartat e saj. Kompania tha se emërtimi ishte shfaqur për shkak të përdorimit të një shërbimi hartografik të palës së tretë dhe se po punonte për ta korrigjuar.
Emri i ri është shfaqur përkohësisht edhe në hartat e disa institucioneve të tjera në Ontario, përfshirë Hydro Otava dhe Liquor Board of Ontario.

Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv të enjten, pas dështimit të negociatave tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Urdhri i kërkon Burgum-it të ndërmarrë “të gjitha veprimet e përshtatshme” për ndryshimin e emrit dhe përditësimin e sistemit zyrtar amerikan Geographic Names Information System (GNIS).
Google ka konfirmuar se do ta përdorë emrin “Lake America” për përdoruesit në SHBA, ndërsa në Kanada do të vazhdojë të shfaqet “Lake Ontario”. Në pjesën tjetër të botës, emri do të paraqitet si “Lake Ontario (Lake America)”.
Por jo të gjitha platformat kanë pranuar ndryshimin. MapQuest, një nga shërbimet amerikane të hartave online, deklaroi shkurtimisht: “Ne nuk po e ndryshojmë”, duke ofruar madje një funksion që u lejon përdoruesve ta emërtojnë liqenin sipas dëshirës.
Në Kanada, reagimi politik ka qenë i prerë. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, vendosi pranë liqenit një tabelë të madhe ku shkruhej “Lake Ontario Now and Always”, në anglisht dhe frëngjisht.
“Askush nuk do ta quajë Lake of America. Ka qenë Lake Ontario për qindra vjet dhe do të vazhdojë të jetë Lake Ontario”, deklaroi Ford.
Liqeni Ontario është një nga pesë Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut dhe një nga kufijtë natyrorë më të rëndësishëm mes SHBA-së dhe Kanadasë. Emrat e katër prej tyre — Ontario, Huron, Michigan dhe Erie — kanë origjinë nga gjuhë indigjene.
Përplasja rreth emrit të liqenit vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Otavës janë tensionuar ndjeshëm për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare dhe tarifave të vendosura nga të dyja palët. /Telegrafi/






































