LAJMI I FUNDIT:

Presidenti nuk e kthen mbrapa, Ligji për Pagat hynë në fuqi automatikisht

Presidenti nuk e kthen mbrapa, Ligji për Pagat hynë në fuqi automatikisht
Foto: Ridvan Slivova-Telegrafi

Pavarësisht kërkesave nga shumë kategori të sektorit publik për mos nënshkrimin e Ligjit për Paga nga ana e presidentit Hashim Thaçi, ky i fundit ka vendosur që të mos ua plotësoj këto kërkesa.

Shërbyesit civilë i shkruajnë letër Thaçit, kërkojnë që Ligji për Paga të kthehet në Kuvend
Lexo po ashtu Shërbyesit civilë i shkruajnë letër Thaçit, kërkojnë që Ligji për Paga të kthehet në Kuvend

Thaçi ka zgjedhur që ky Ligj të hyjë në fuqi në mënyrë të heshtur, duke mos e dekretuar e as kthyer mbrapa në Kuvend. Kështu kanë thënë për Telegrafin nga zyra për Informim e Presidencës.


“Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Kushtetuta e Kosovës, sikundër edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që ligji hyn në fuqi në rastet e tilla.

“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në Kushtetutë.

Statusi dhe Kompetencat Kushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës

Në rast se presidenti Thaçi do t’ia kthente këtë Ligj mbrapa në Kuvend, atëherë do t’i duhej të jepte verisonin e tij për çdo nen të kontestuar.

Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që kur ligji kthehet nga presidenti për rishqyrtim, atëherë Kryesia e Kuvendit ia dërgon atë komisionit funksional raportues për shqyrtim.

Kuvendi miraton Projektligjin për Pagat në sektorin publik
Lexo po ashtu Kuvendi miraton Projektligjin për Pagat në sektorin publik

Ky komision i shqyrton vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda dy javë pune, nga data e pranimit të tij, ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime.

Pastaj, Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve vendos për ose kundër miratimit të rekomandimit të komisionit për vërejtjet e Presidentit.

Nëse Kuvendi nuk e miraton rekomandimin e komisionit për vërejtjet e Presidentit, atëherë ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe
konsiderohet i shpallur.

Rregullore e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Ligji për Paga pritet të hyjë në fuqi 9 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Kështu e ka bërë të ditur edhe deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ditë më parë.

” Pakoja e ligjeve të Reformës në Administratë Publike ( pra nuk është vetëm ligji për paga) hynë në fuqi 9 muaj mas miratimit në Kuvend, pra në tetor të këtij viti, dhe kjo ka të bëje me aktet nënligjore qe duhet hartuar për të mundësuar zbatimin e ligjeve por edhe me buxhetin”, kishte shkruar Pantina. /Telegrafi/