Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, me kritika të ashpra për Real Madridin dhe ankesat e tyre

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të trajnerit të Real Madridit, Alvaro Arbeloa, lidhur me vendimet e gjyqtarëve në kampionatin spanjoll.
Tebas i hodhi poshtë ankesat e Arbeloas, duke sugjeruar se argumentet e tij nuk janë të qëndrueshme.
“Ditën tjetër, ai tha të njëjtën gjë edhe për gjyqtarin në ndeshjen me Bayern Munich. Ishte i njëjti stil argumentimi”, ka thënë Tebas, sipas Mundo Deportivo.
Kreu i La Ligës e vazhdoi kritikën, duke shtuar: “Një ditë thotë një gjë, pastaj një tjetër, pastaj diçka tjetër".

Këto komente vijnë pasi Arbeloa vuri në dyshim standardin e gjykimit pas përballjes së fundit të Real Madridit në kampionat ndaj Gironës. Ai kishte lënë të kuptohet se vendimet kontroverse mund të jenë një ndër arsyet pse Real Madridi ka pasur më shumë sukses në Evropë sesa në garat vendore vitet e fundit.
Megjithatë, Tebas u bëri thirrje madrilenëve të fokusohen te gara për titullin, duke theksuar se sezoni ende nuk ka përfunduar.
“Real Madridi duhet të përpiqet të vazhdojë të garojë. Ka ende ndeshje në La Liga dhe ka mjaft pikë në lojë”, u shpreh ai.

Ai minimizoi edhe mundësinë që Barcelona ta “mbyllë” shpejt garën, duke përfunduar: “Barcelona nuk do t’i fitojë të gjitha, larg kësaj. Jam i bindur për këtë. Ka ende pikë për t’u luftuar”. /Telegrafi/





















































