LAJMI I FUNDIT:

Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane: Menaxherët shqiptarë ndër më të mirët kudo në botë

Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane: Menaxherët shqiptarë ndër më të mirët kudo në botë

Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, një prej grupeve më të suksesshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë me kompani në 11 shtete, ka vlerësuar menaxherët shqiptarë mes më të mirëve kudo në botë.

Mane në vazhdën e takimeve të tij më të rinj si në Prishtinë edhe në Tiranë, është takuar me gjimnazistë të mjediset e Tirana Business University (TBU), së bashku me studentë e pedagogë të këtij universiteti.


“Ne i kemi të gjitha kapacitetet financiare për të hapur biznese kudo nëpër botë. Shpresoj shumë që të takohem me individë të veçantë nga ju, për të parë ide biznesi, mundësi biznesi se si të ecni jo vetëm brenda korporatës tonë, por dhe te tjera, jo vetëm në Shqipëri por edhe Kosovë, Maqedoninë e Veriut e kudo në rajon. Të gjithë menaxherët e zyrave tona në botë janë shqiptarë, që nga Vjena, në Nju Jork, Vankuver dhe kudo ku kemi zyra dhe janë ndër më të mirët. Njerëz të ardhur nga bankat e shkollës, me disa vite përvojë në kompanitë tona. Ata njerëz e njohin kulturën tonë korporatave, kështu që janë padyshim udhëheqës të mirë të vlerave tona në vendet ku punojmë”, tha z.Mane.

Mane iu përgjigj të gjitha pyetjeve të të rinjve, dhe u ndal edhe pas takimit me një pjesë prej tyre, duke iu dhënë këshilla dhe duke i ftuar që t’i ndjekin idetë e tyre të biznesit, si dhe duke iu parashtruar atyre opsione të ndryshme, se si të hedhin hapat e parë si biznesmenë të ardhshëm.

Ashtu si në Universitetin e Prishtinës si edhe në Universitetit i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT), Samir Mane shprehu dëshirën që t’i shohë studentët si sipërmarrës.

“Dëshira ime është që shumë prej jush të shkojnë drejt sipërmarrjes. Një pjesë mund të shkojnë patjetër. Ne do mbështesim çdo iniciativë që vjen nga ju, për të parë mundësitë që ju të shkoni drejt kësaj rruge. Atë që keni në mendje, mund ta realizoni vetë, mund ta realizoni me mbështetjen tonë, ose në partnership me ne. Ne mund të punojmë bashkërisht për të dhënë shpresën për të rinjtë, të punojnë në Shqipëri apo Kosovë e bashkë të krijojmë kushtet për të ardhmen që të gjithë duam.”, është shprehur zoti Mane.

Presidenti i Grupit BALFIN i garantoi të rinjtë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që ata të mos mendojnë vetëm lokalisht, por edhe globalisht.

Me një diversitet të portofolit që përfshin pasuritë e paluajtshme , shitjet me shumicë dhe pakicë, sistemin bankar, turizmin , energjinë, arsimin, logjistikën, etj. Grupi BALFIN ka tashmë një rol të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare në dy kontinente.

Nëpërmjet zgjerimit strategjik dhe partneriteteve, Grupi BALFIN është prezent në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Zvicër, Kroaci, Holandë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.