LAJMI I FUNDIT:

Presidenti Biden, ndihmojeni Kosovën

Presidenti Biden, ndihmojeni Kosovën

Në qershor 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për protestat e dhunshme serbe fajësuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili autorizoi përdorimin e policëve në fund të majit, për t’i shoqëruar kryetarët shqiptarë, të zgjedhur së fundmi, në ndërtesat komunale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përdorur forcën, nëse do të ishte e nevojshme. Ky vendim fatal, u miratua pa konsultimin paraprak me zyrtarët e ShBA-së dhe BE-së, dhe pavarësisht këshillave të dhëna më 18 maj 2023, nga ShBA-ja, Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe, për të mos futur kryetarët e zgjedhur në ndërtesa, nga frika e telasheve që mund të krijoheshin. Vendimi i Kurtit u pa si një akt provokimi, si dhe si një pengesë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe të mbështetur nga ShBA-ja, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Komuniteti ndërkombëtar u indinjua. Dhuna serbe që pasoi, solli lëndimin e 30 anëtarëve të forcës paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forca e së cilës ishte thirrur për të shuar dhunën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh më 2 qershor 2023 se “Këto veprime nga Kosova i kanë përshkallëzuar ashpër dhe në mënyrë të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën.”


Një sanksion i menjëhershëm i ShBA-së ndaj veprimit të kryeministrit Kurti, ishte tërheqja e ftesës Kosovës për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender 2023”, ku u përfshinë ShBA-ja, vendet e NATO-s dhe partnerët e saj. Ky sanksion paraqiti goditje të madhe për aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO.

Si arriti Kosova në këtë pozicion të rrezikshëm, ku ShBA-ja, mbështetësit dhe mirëbërësit e saj kryesorë, hezitojnë të qortojnë Serbinë, ndërsa në të njëjtën kohë, kritikojnë fort dhe ndëshkojnë Kosovën?

Pavarësisht përpjekjeve të emisarëve të Bashkimit Evropian, pavarësisht një parade të vazhdueshme të liderëve shtetërorë, diplomatëve, ambasadorëve, ministrave, të dërguarve specialë, raportuesve, negociatorëve, delegacioneve të huaja dhe zyrtarëve të tjerë të ndryshëm, pika dominuese e ngërçit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, ka qenë gjithmonë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Për Serbinë dhe serbët në veri, asociacioni është kusht “sine qua non (parakusht themelor)”. Ata duan që asociacionit t’i jepet autoritet i gjerë dhe kompetenca ekzekutive. Kosova ka refuzuar me vendosmëri të pajtohet me një asociacion me fuqi gjithëpërfshirëse, si një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. ShBA-ja duhet të vetëofrohet, për të garantuar që asociacioni nuk do të marrë formën e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë.

ShBA-ja ka qenë historikisht vend përkrahës i palëkundur i Kosovës. Kosova është demokraci e pjekur në Ballkanin Perëndimor, me një respekt për sundimin e ligjit pas masakrave të kryera nga Serbia gjatë luftës. Lufta la mbi 10 mijë të vdekur, gra të panumërta të përdhunuara si armë lufte dhe rreth një milion refugjatë si rezultat i spastrimit etnik. ShBA-ja udhëhoqi fushatën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë, për t’i dhënë fund luftës dhe spastrimit etnik, si dhe ndihmuan në rindërtimin e Kosovës. Qeveria amerikane gjithmonë ka ofruar burime të konsiderueshme financiare, zhvillimore dhe diplomatike. Dhe, gjithmonë e ka mbështetur Kosovën në fitimin e njohjes nga vendet e tjera (tani mbi 100 të tilla), si dhe i ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, pavarësisht nga përpjekjet e pandërprera të Serbisë për të bërë të kundërtën. Dhe, Kosova gjithmonë e ka treguar mirënjohjen e saj ekstreme për ndihmën dhe mbështetjen e Amerikës, si me fjalë ashtu edhe me vepra.

Kosova vazhdon ta mbajë bazën e madhe ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj. Kosova doli vullnetare për të strehuar qindra refugjatë afganë, ndërsa ata po kontrollohen për qëllime sigurie, një program që është ende në progres. Kosova ka hapur një ambasadë në Jerusalem, sipas kërkesës së ShBA-së. Ajo ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën e saj të paprovokuar me Ukrainën, ndërsa Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë. Dhe, gjatë kësaj kohe, shumë serbë në veri, me besnikëri vetëm ndaj Beogradit, si dhe bandat e ndryshme të kriminelëve të organizuar, vazhdimisht kanë shkaktuar telashe duke qenë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar virtualisht.

Incidenti i fundit tragjik ndodhi pikërisht pak ditë më parë. Edhe pse ShBA-ja tani është e prirë për ta qetësuar Serbinë, në mënyrë që ta inkurajojnë atë, në të njëjtën kohë, që të mos zhytet më tej në përqafimin destabilizues të Rusisë, presidenti Joe Biden dhe qeveria amerikane duhet ta ndihmojnë Kosovën, duke e këshilluar atë të draftojë programin për asociacionit, duke i garantuar Kosovës që ky mega-lëshim për asociacionin nuk do të krijojë një Republikë Serbe të dytë edhe në Kosovë.

Presidenti Biden, ndihmojeni Kosovën në këtë moment shumë të vështirë për të dhe për rajonin, pikërisht në emër të interesave gjeostrategjike amerikane, për të mos lejuar përshkallëzimin e interesave ruse në rajon.