LAJMI I FUNDIT:

Prej Prishtine në konkurrencë me tregun global

Prej Prishtine në konkurrencë me tregun global

Startup Weekend është organizata e njohur për maratonat 54 orëshe të lansimit të bizneseve që edhe në Prishtinë në mesin e më shumë se 180 qyteteve tjera të botës, ka organizuar për here të tretë një ngjarje të këtillë, që kësaj radhe ishte edhe pjesë e garës botërore Global Startup Battle.

Pas maratonës 54 orëshe në Prishtinë, ku në Innovation Centre Kosovo garuan 10 ekipe dhe në fund u shpall fitues ekipi Xiiik që po zhvillon lojëra për platformat mobile me një dizajn dhe argëtim unik 3D, Leart Zogjani dhe Bardh Lohaj tani me videon e tyre 90 sekondëshe po konkurrojnë me më të mirët e më të mirëve në botë, duke treguar kompaninë dhe produktet e tyre.

Tani që votimi është hapur, bota ka rastin të votojë për më të mirët përmes një vote në ditë në Facebook, nga të cilët më pas do të përzgjidhen 15 që do të avancojnë në finale. Një panel i ekspertëve do të kenë nderin që të punojnë në vlersim të bizneseve dhe bëhet fjalë për CEO të Zappos Tony Hseih, Brad Feld prej Foundry Group, themeluesi i TaskRabbit Leah Busque, menaxheri prominent i fondeve Chris Hollod dhe aktorja/ndërmarrësja Jesse Draper.

Çka e pret fituesin?

Ekipin fitues do ta presin një sëre çmimesh që sigurisht do të ndikojnë në rritjen e kompanisë. Fituesi do të merr një bilet për udhëtim VIP në Rio De Janeiro për Global Entrepreneurship Congress, një udhëtim në San Francisco për tu takuar me Google, mbi 20,000 vlerë në shërbime PR, dizajn, zhvillim produkti e përkrahje teknike, dhe shërbime Cloud nga Google në vlerë mbi 20,000 dollarë.
Global Startup Battle që është mbajtur edhe vitin e kaluar, tani ka dyfishuar numrin e ngjarjeve nga 67 në 130, kurse fituesi do të kurorëzohet në dhjetor. Fituesi i vitit të kaluar AfterShip, pati paraqitur një platform e-commerce për tregtarë dhe blerës që ofrojnë informata në kohë reale për njoftime se kur vjen porosia. Më heret gjatë këtij viti ka arritur të tërheq një shumë tjetër investimesh.

Prishtina në nivel Global dhe vota juaj

Pesha e mbajtjes së një ngjarjeje si Startup Weekend në Prishtinë është e jashtëzakonshme si në aspektin ekonomik por edhe në aspektin e vet përfaqësimit të shtetit të Kosovës në nivel global, duke treguar potencialin, kualitetin dhe mundësitë që ka vendi drejt krijimit të bizneseve të vogla që janë shtylla e ekonomisë dhe potencialit të tyre për të depërtuar në tregje globale.
Xiiik tani është në konkurrencë dhe gjithesesi përkrahja nga komuniteti shqiptar është e mirëseardhur, prandaj shpresojmë se ata do të jenë në mesin e finalistëve e ndoshta edhe fitues në mënyrë që të vazhdojnë edhe më tej zhvillimin e produkteve të shkëlqyera, falë talentit dhe përkushtimit të tyre. Sponsorët si Innovation Centre Kosovo, IPKO Foundation, Telegrafi, IPKO, Ceed Kosova dhe Eleven kanë ofruar shpërblime të ndryshme për tre vendet e para në edicionin e fundit të Startup Weekend Prishtina që u mbajt me 9 -11 nëntor, dhe natyrisht ato u kanë hyrë në punë mjaft mire për të vazhduar më tej zhvillimin e biznesit.
Votimi per Xiiik eshte i hapur ne kete link: http://bit.ly/UBgjmI