Pochettino me mesazh për futbollistët amerikan para përballjes me Bosnjën: Kjo është finalja e Kupës së Botës


Përzgjedhësi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mauricio Pochettino, u ka dërguar një mesazh të qartë lojtarëve të tij para përballjes me Bosnja dhe Hercegovina në raundin e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026.
Amerikanët siguruan me lehtësi kualifikimin në fazën eliminatore, duke zënë vendin e parë në Grupin D pas fitoreve bindëse ndaj Paraguait (4-1) dhe Australisë (2-0). Megjithatë, Pochettino ka paralajmëruar se ndaj boshnjakëve nuk ka vend për vetëkënaqësi.
“Kjo është finalja e Kupës së Botës. Nëse nuk mendojmë kështu, mendoj se do të kemi vështirësi. E kemi parë tashmë në të gjitha ndeshjet pas fazës së grupeve sa e vështirë është. Asnjë ndeshje nuk ishte e lehtë për askënd dhe nuk kemi një shans tjetër nëse dështojmë. Nëse kalojmë tutje, ndeshja tjetër do të jetë një finale e re e Kupës së Botës. Kjo është mënyra jonë e të menduarit dhe mentaliteti ynë. Jemi në finale”, deklaroi Pochettino.

Trajneri argjentinas hodhi poshtë idenë se SHBA-ja është favorite absolute në këtë përballje, duke përmendur surprizat e shumta që kanë ndodhur tashmë në turne.
“Të gjithë thonë se Gjermania është favorite, por Paraguai e mundi. Shikoni sa e vështirë ishte për Brazilin kundër Japonisë. Në këtë Kupë Bote, duhet të jemi të kujdesshëm se kush është favorit dhe kush jo”, tha ai.
Më pas, Pochettino theksoi se statusi i organizatorit nuk i garanton asgjë skuadrës së tij.
“E kuptoj që ne konsiderohemi favoritë sepse jemi SHBA-të dhe organizatorët e kampionatit. Mund t’i kemi tifozët në anën tonë, por kemi shumë respekt për Bosnjën dhe Hercegovinën. Nëse duam të fitojmë dhe të kalojmë në fazën tjetër, duhet të luajmë sa më mirë që mundemi”, shtoi ai.

Pochettino u ndal edhe te aspekti emocional i ndeshjeve eliminatore, duke kërkuar nga lojtarët e tij të ruajnë qetësinë.
“Një ndeshje si kjo është 90 përqind, ndoshta 85 përqind, një ndeshje e luajtur me emocione. Nëse mund ta zvogëlojmë këtë në 70, 60 ose 50 përqind, nëse e zvogëlojmë ngarkesën emocionale dhe përqendrohemi më shumë te loja dhe i lëmë emocionet për në fund, mendoj se kjo është shumë më mirë”, vazhdoi ai.
Në fund, ai nënvizoi se futbolli gjithmonë sjell të papritura dhe se skuadra e tij duhet të ruajë qasjen që e ka sjellë deri në këtë fazë.
“Gjëra të paparashikueshme mund të ndodhin në futboll. Ne përpiqemi t'i minimizojmë ato. Por duhet t'i qasemi kësaj si në ndeshjet e mëparshme. Bëhet fjalë për të dalë në fushë dhe për të provuar të luajmë pa ngarkesë.”
Ndeshja mes SHBA-së dhe Bosnjës e Hercegovinës për një vend në çerekfinale do të zhvillohet në orën 02:00 të mëngjesit të së enjtes. /Telegrafi/












































