Juventus dhe Roma do ta zhvillojnë derbin e xhiros në Itali të shtunën mbrëma.

Dy skuadrat e mëdha italiane do të jenë përballë njëra tjetrës në një moment shumë të mirë që po kalojnë.

Aktualisht Roma zë vendin e tretë në kampionat me 40 pikë, një më shumë se Juventusi që është në vendin e katërt dhe gjashtë më pak se lideri Milan.

Para kësaj ndeshje ka folur trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo që ka befasuar të gjithë duke thënë se do të luajnë ndaj Romës që bën futbollin më të mirë në Serie A.

“Do të luajmë një ndeshje ndaj skuadrës me futbollin më të mirë në Itali. Roma janë të fortë shumë, sidomos në kundërsulme dhe duhet të mbrohemi mirë”, ka deklaruar Pirlo.

Pirlo ka thënë se skuadra e tij do të futet me seriozitetin maksimal në këtë sfidë për t’i marrë pikët e plota që do ta mbanin afër liderit.

Ndër të tjera trajneri Italian ka folur edhe për luftën për titull të kampionit, ku ka përmendur pesë ekipe tjera përveç Juventusit.

“Milan, Inter, Roma, Juventus, Napoli dhe Atalanta mund të luftojnë të gjitha për titullin”.

“Fonseca kritikohet shumë, por ka treguar se është shumë i zoti dhe ka ngritur lartë Romën. E di se si punon pasi kam pasur rastin ta njoh vitin e kaluar”, ka deklaruar Pirlo.

Roma dhe Juventus në ndeshjen e parë të këtij edicioni luajtën baras 2-2. /Telegrafi/