Presidenti amerikan, Donald Trump ka sinjalizuar një qasje më të moderuar ndaj Iranit, duke thënë se Teherani është “më serioz se kurrë më parë” për zhvillimin e bisedimeve, ndërsa ka zbutur deklaratat e mëparshme për një sulm të madh ushtarak.

Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë për teknologjinë bërthamore, Trump tha se ende nuk ka marrë një vendim për nisjen e “sulmeve masive” ndaj Iranit, pavarësisht se më herët kishte deklaruar se një opsion i tillë ishte në shqyrtim.


“Për momentin, ne po flasim me ta, kështu që ndoshta nuk do të ketë një pikë kthese që do të çonte në një sulm masiv”, u shpreh 80-vjeçari para gazetarëve në Zyrën Ovale, shkruan skynews.

Reagimi i ri vjen pas paralajmërimeve të mëparshme se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme për veprime të fuqishme ushtarake kundër Iranit. Megjithatë, këtë herë presidenti amerikan la të kuptohet se një marrëveshje diplomatike mbetet një mundësi.

Trump tha se SHBA-ja dhe Irani mund të vazhdojnë “siç jemi tani” ose mund të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës.

Lideri amerikan gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se zgjedhjet e ardhshme në SHBA po ndikojnë në vendimet e tij për politikën e jashtme, duke deklaruar: “Pavarësisht asaj që thonë të gjithë për zgjedhjet e mesmandatit, unë nuk jam me nxitim”.

Deklaratat e reja të Trumpit tregojnë një përpjekje për të mbajtur të hapur kanalin diplomatik me Teheranin, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta. /Telegrafi/