Polemikat rreth Macklemore janë shtuar pas deklaratave të tij pro-Palestinë gjatë koncerteve në New Jersey, ku reperi ishte performuesi hapës i turneut “Loop” të Ed Sheeran.

Në skenën e MetLife Stadium, ai shprehu mbështetjen për palestinezët dhe kritikoi Izraelin.


Në lidhje me këtë, Pink ka reaguar duke rishpërndarë në Instagram një postim të organizatës StopAntisemitism, e cila e kritikonte performancën e reperit dhe kërkonte që pjesëmarrësve në koncert t’u kërkohej falje. Pink nuk ka shtuar ndonjë koment tjetër përkrah postimit.

Ndërkohë, Macklemore ka reaguar vetë ndaj kritikave, duke publikuar një pjesë të fjalimit të tij në koncert. Krahas videos, ai shkroi: “Dëshira që të gjithë njerëzit të trajtohen të barabartë nuk duhet të jetë kurrë e diskutueshme”.

Gjatë fjalimit, reperi tha: “Një nga arsyet pse doja të vija në këtë turne ishte sepse doja të qëndroja këtu në skena në stadiume anembanë Amerikës dhe të thoja dy fjalë që janë shumë të dashura për zemrën time: Palestina e Lirë. Unë thashë, Palestina e Lirë!”

Macklemore më pas prezantoi këngën “Hind's Hall”, duke folur për protestat studentore në Universitetin e Kolumbias dhe duke falënderuar studentët që, sipas tij, u ngritën kundër asaj që besonin se ishte e padrejtë, shkruan DailyMail.

Ai iu drejtua gjithashtu komunitetit hebre, duke thënë: “Për të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia hebrenje: Kritika ndaj Izraelit, kritika ndaj aparteidit, të qenit kundër gjenocidit në asnjë mënyrë nuk është kritikë ndaj teje”.

Reagimet ndaj qëndrimit të tij kanë qenë të shumta, ndërsa disa fansa kanë kërkuar që Macklemore të mos vazhdojë si pjesë e turneut të Ed Sheeran. /Telegrafi/