LAJMI I FUNDIT:

Piktori shqiptar që theu rregullat e socrealizmit, jetën e të cilit e shkatërroi komunizmi

Piktori shqiptar që theu rregullat e socrealizmit, jetën e të cilit e shkatërroi komunizmi

Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e realizmit socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70.

Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste. Në trajtimin piktorik të tablove të tij, vihen re gjithmonë e më shumë tendencat ekspresioniste dhe kubiste, larg shablloneve të ngurta akademike dhe skematizmit që mbizotëronte në këtë periudhë në artin figurativ shqiptar.


Ai zgjodhi tematikën e tablove të tij, brenda rregullave të realizmit socialist.

“Era” e një jete politike sociale më liberale që u ndje në fillimin e viteve ’70 edhe në kulturën shqiptare. bëri që mjaft piktorë sidomos ata të rinj, të realizonin punimet e tyre në forma artistike “novatore” për kohën.

Ky grup artistësh ku protagonist ishte dhe piktori Edison Gjergo nuk gjetën frymëmarrjen dhe mbështetjen e duhur. Kështu që pas dy ekspozitave kombëtare të titulluara “Pranvera” (1971,1972) u urdhërua nga pushteti komunist, dënimi i kësaj tendence novatore në art e kulturë si veprime antiligjore e antikombëtare.

Një pjesë e artistëve, shkrimtarëve, regjisorëve u dënuan me burgime apo dhe u persekutuan, ndër ta ishte edhe piktori Edison Gjergo, i cili sidomos me veprën e fundit të ekspozuar “Epika e yjeve të mëngjesit” (1971) , do të hapte hapësira dhe konceptime të realizimeve bashkëkohore në pikturën shqiptare.

Kjo krijimtari nga regjimi komunist i Hoxhës u etiketuan “të degjeneruara dhe me ndikime “borgjezo-revizioniste”.

Ngjarjet politike të viteve 1973-1974 në Shqipëri, ndikuan edhe në jetën e piktorit Edison Gjergo, pasi ai ishte ndër artistët që u dënuan me 8 vjet burg (1974-1982) nga Gjykata, për idetë liberale dhe krijime artistike të ndikuara nga piktura europiane-perëndimore e asaj kohe.

Pas lirimit nga burgu, Edison Gjergo u detyrua të punojë si punëtor i thjeshtë dhe nuk u lejua të ekspozojë, kështu që ai i dërmuar nga jeta, i braktisur nga kolegët dhe miqtë mbeti jashtë jetës artistike të kohës duke rënë në dëshpërim të thellë, u alkoolizua dhe u sëmur rëndë. Në këto vite artisti realizonte kryesisht ndonjë portret familjar apo peizazh. Tabloja “Epika e yjeve të mëngjesit” e merr subjektin nga lufta nacionalçlirimtare. Në tablo paraqitet një moment pushimi i një formacioni partizan, të cilët janë të ndarë në dy grupe.

Në grupin e planit të parë, një grup partizanësh janë mbledhur pranë një malësori nga zona veriore e Shqipërisë që po këndon me lahutë. Figura kryesore është ajo e lahutarit plak, i cili po këndon këngët epike të folklorit shqiptar. E gjithë vemendja është përqendruar tek kjo figurë, e cila nga qëndrimi dhe pikturimi është krejt e veçantë. Skena është përfytyruar nga artisti në një natë me yje, moment që i ka dhënë tablosë nota epiko-romantike.

Ky element ka lidhje veçanërisht nga pikturimi në anën e djathtë të tablosë të figurës së një vajze të re partizane që mban në dorë një lule me petale të kuqe. Ndërsa tri figurat e partizanëve janë të përqendruar tek kënga e lahuratir plak, vajza e re paraqitet mjaft indiferente dhe po admiron bukurinë e lules që mban.

Nga veshja e personazheve me pallto ushtarake të gjera e të gjata kuptohet që jemi akoma në stinën e dimrit. Pikturimi i kësaj tabloje është e ndikuar nga kubizmi dhe ndjehet një lirshmëri penelatash në trajtimin koloristik të vetë figurave, portreteve të tyre si dhe peizazhit që ka krijuar atmosferën e një nate me yje.

Gjergo ka proceduar me ngjyra të pastra e potente në veshje dhe me tonalitete hije drite tek portretet me prirje grafike, që i japin tablosë modernitet për kohën kur u realizua në Shqipërinë komuniste. Në tablo “ndjehet” një atmosferë tjetër nga jeta partizane në krahasim me piktorët e tjerë që trajtuan në artin pamor shqiptar temën e luftës. Largimi nga heroikja dhe trajtimi më njerëzor jetës partizane e bën këtë tablo me mjaft interes veçanërisht me për vitet e vështira kur ajo u krijua nga autori i saj Edison Gjergo.

Tonaliteti i ngjyrave të ftohta në përgjithësi e atmosferës së tablosë është në kontrast me veshjet e figurave të partizanëve duke e krijuar kështu një vepër të veçantë, mjaft moderne dhe unike në artin shqiptar të shekullit XX.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen një koleksion vetëm prej katër tablo të tij si: “Heroina Zonja Çurre” (1966), “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori”(1971) dhe “Portret malësoreje” (1972). Pas viteve 1990 veprat e piktorit Edison Gjergo janë pjesë e linjës muzeale të GKA. /Gazeta Shqip/

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori