LAJMI I FUNDIT:

Petrit Mehmeti, një trup i ndërtuar për t’u lakmuar

Petrit Mehmeti, një trup i ndërtuar për t’u lakmuar
-->

Lexoni dhe binduni në forcën e këtij ‘fit modeli’ 22-vjeçar me perspektivë, për të cilin nuk ekziston kurrfarë kufiri!

Talenti shpërthen me tërë fuqinë e vet, madje edhe për gjashtë vjet. Këtë e dëshmoi edhe Petrit Mehmeti, i cili me punën e tij para pak javësh u kthye nga Hungaria me medalje të kampionit në garat ndërkombëtare të fitnesit.

Të gjithë ata të cilët kanë pasur nderin ta njohin personalisht janë të sigurt që fjala është për sportistin modest para të cilit është karriera e madhe ndërkombëtare. Ai, gjitha këto suksese po i arrin me punë e disiplinë, por edhe me përkushtim deri në qëllim.

Rasti i Petritit tregon më së shumti se Kosova ka mundësi të zbulojë talentët e vet dhe asnjë i ri të mos ndjehet inferior ndaj moshatareve të kombeve tjera, kur është në pyetje vlera.

Se, a është kështu, flet Petriti në intervistën dhënë portalit tonë.

Në garat ndërkombëtare të fitnesit dhe bodybuildingut të mbajtura në Budapest të Hungarisë, kohë më parë, jeni shpallur kampion në dy disiplina të këtij sporti të bukur. Si i vlerësoni këto çmime dhe çka paraqesin për ju?

Kam pritur rezultate të mira, ndonëse gjithmonë ekziston faktori i befasisë. Megjithatë dëshirën e kam realizuar, edhe pse gara ka qenë jashtëzakonisht me rivalitet të fortë. Natyrisht që fitorja është sukses i madh dhe ndjenja është vërtet e veçantë.

Kur më shpallën fitues të ‘Fitparade’, në kategorinë Mens Physique Junior dhe në kategorinë Mens Physique +1.80cm, jam ndier si udhëtari kur pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm arrin qëllimin e tij. Konsideroj që kjo është mirënjohje e madhe, sepse çmimet paraqesin më së miri punën, përkushtimin dhe disiplinën time në këtë fushë.

Sa për fillim, si ishte rrugëtimi juaj deri te ndërtimi i kësaj karriere?

Gjithmonë më ka fascinuar trupi i ndërtuar bukur dhe më ka interesuar se si ta arrijë këtë, prandaj kam vendosur edhe vetë ta provoj këtë. Mund të them që për mua bodybildingu nuk është vetëm ndërtimi i trupit, por edhe i karakterit. Përkatësisht, forca e karakterit tuaj dhe gjendja e mendjes shprehen edhe në trupin tuaj dhe pa të jeni shumë të kufizuar dhe nuk mund të realizoni potencialin tuaj të plotë.

Rrugëtimi ishte shumë i gjatë për të ndërtuar këtë fizik. Kam filluar rreth 6 vite më parë të merrem me fitnes, ndërsa garoj që nga viti 2018. Përgatitja intensive për garën e Budapestit filloi në muajin maj, dmth 6 muaj më parë, ishte një përpjekje me shumë sfida, por përfundimi doli i shkëlqyer.

Për të arritur këtë sukses, e keni pasur përkrahjen e parezervë edhe të prindërve tuaj…

Mbështetjen nga familja e kam pasur gjatë gjithë jetës, gjë që është shumë e rëndësishme. Familja ime me prezencën e tyre në çdo garë, padyshim më japin shtytje të madhe.

Sigurisht keni patur sfida të mëdha për të arritur suksesin e dëshiruar meqë sikurse dihet, ky sport kërkon sakrificë, por edhe para…

Ky sport kërkon sakrificë të madhe, por edhe kostoja për përgatitje është shumë e lartë, ndonëse nuk ekziston asnjë fond për ndihmë të sportistëve kosovar.

Duke shikuar figurën dhe mundësitë tuaja, na zbulo cilin grup të muskujve e përpunon më së miri, por edhe me cilin ke punë diç më të vështirë në palestër?

Për të mbajtur trupin në formë, duhet të praktikohen ushtrimet për të gjitha pjesët e trupit veç e veç, kardio ka rëndësi të madhe në këtë aspekt, por gjëja më e rëndësishme, prapë mbetet ushqimi.

Cila është mosha dhe koha më e përshtatshme për t’u marrë me këtë aktivitet?

Mosha më e përshtatshme për fillimin e ushtrimeve mendoj që është mosha 16 vjeçare.

Të rinjtë, kohëve të fundit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë kujdes ndërtimit të trupit të bukur. Nisur nga kjo është shtuar edhe numri i trajnerëve personal. Çka duhet të ketë një trajner që të jetë i suksesshëm?

Janë shumë karakteristika të cilat trajneri personal duhet t’i posedojë, mirëpo, para së gjithash, është e domosdoshme të ketë edukim formal, pas kësaj është i domosdoshëm edukimi i vazhdueshëm joformal nëpërmjet seminareve të ndryshme, kurseve dhe punëtorive.

Trajnerët duhet të punojnë në mënyrë të vazhdueshme në perfeksionimin personal dhe të rrisin dijen e tyre. Me punën e tyre duhet të jenë shembull i efikasitetit të ushtrimit të rregullt. Duhet patjetër të kenë shkathtësi të mira komunikimi dhe të jenë motivues kulmorë.

A mund të stërvitet bodybuilderi pa trajner, apo siç kërkon pothuajse çdo sport, a është patjetër të kesh trajner nëse dëshiron të jesh i suksesshëm?

Aktualisht mund të vërehet një “bum” sa i përket fitnesit dhe përgjithësisht ushtrimeve, aq më parë të treningëve dhe trajnerëve “online”. Atë që e kamë vërejtur është numri i madh i njerëzve të cilët mendojnë që dinë të ushtrojnë, mirëpo në të vërtetë nuk dinë kurrfarë baze të biomekanikës as ekzekutime korrekte të ushtrimeve. Shumë shpesh po ata amatorë (nuk mendoj në trajnerët e vërtetë të shkolluar) përpiqen t’ua tregojnë ato të njëjtat ushtrime ushtruesve të tjerë. Kështu ndodh një “zinxhir” i cili shpesh çon deri në demotivim për shkak të mungesës së rezultateve, ndërkaq fatkeqësisht ndonjëherë edhe ndodhin lëndime.

Ekzistojnë persona të shkolluar, trajnerë kulmorë të cilët ju janë në dispozicion dhe të cilët investojnë çdo ditë dijen e tyre në mënyrë që t’ju dërgojnë bash deri te rezultatet e dëshiruara. Gjithashtu, edhe unë kam trajner. Ai është njeriu tek i cili kam besim dhe i cili mund t’i shohë gjërat nga perspektiva tjetër aq më parë në fazat e fundit të përgatitjes.

Cilat janë ato sfida te klientët që më së shpeshti ballafaqoheni dhe çfarë do të kishit theksuar si pjesën më të rëndë të punës suaj?

Kur flasim për klientët, ndërsa mendoj që shumica e trajnerëve mund të pajtohet me këtë, problem është motivimi! Te disa vullneti shumë shpesh bie në kohë rekorde, edhe pse fillojnë të bredhin dhe të gënjejnë vetveten, po kështu edhe trajnerin. K

onsideroj që kjo njëherësh është edhe pjesa më e rëndë e punës, sepse, krahas asaj që duhet të keni njohuri të caktuar për të arritur ndonjë rezultat, ju duhet patjetër të jeni edhe përkrahje dhe deri diku mentori jetësor. Duhet t’i kuptojmë problemet e tyre, t’i formojmë profilet psikologjike të atyre personave dhe në njëfarë mënyre t’i ndihmojmë në mënyrë që ta ndryshojnë stilin e jetës dhe të arrijnë diçka të mirë.

Fatkeqësisht, ka shumë të tillë të cilët ushtrojnë, por të cilët njëherësh realizojnë përparim shumë të vogël. Çfarë do t’u rekomandosh të tillëve?

Fatkeqësisht shumica e stërvitësve nuk janë të prirë drejt përhapjes së njohurive të veta dhe rrallë i hyjnë ndonjë ndryshimi siç janë treningu dhe ushqimi apo presin pranverën për të qenë gatshëm për verë apo e bëjnë këtë për shkaqe të tjera etj. Për këto arsye rezultatet mungojnë dhe nëse do të prisnit kohën ideale, kushtet e volitshme financiare, kohën etj., kurrë nuk do të arrini as nuk do të bëni ndonjë rezultat.

Këshilla ime do të ishte: thjesht merrni guximin dhe fillojani! Do të befasoheni që jeni të gjithë të aftë të bëni dhe sa afër ju ka qenë realizmi i qëllimit gjatë gjithë kohës.

Si motivoheni ju?

Motivimi dhe dëshira ime është që të nxjerr më të mirën nga vetja. Në atë mënyrë përpiqem t’i mundësoj vetes që me kohë të ndryshoj ambientin, jo të mbetem këtu ku njerëzit nuk respektojnë kurrfarë suksesi dhe ku mbi çdo gjë shkelin.

Duke ditur se ju mbani edhe trajner fitnesi, sa ju ka ndihmuar kjo që të arrini suksese vetanake, por edhe të zbuloni talentë e talente të tjera në këtë fushë?

Po punoj me klientë çdo ditë gjatë gjithë kohës. Më ka ndihmuar shumë në çdo aspekt për përgatitjen e garës, ku pa ta do të ishte e vështirë dhe thuajse e pamundur të marr pjesë në gara të llojit të tillë. Punoj me klientë dhe ju ndihmoj të arrijnë forma trupore që ata dëshirojnë, por nuk punoj me klient që cak i tyre është të garojnë, sepse në këtë fushë kërkohet tjetër dije.

Cila është receta e shëndetshme për një trup të përkryer dhe cilat ushqime domosdoshmërisht duhet hequr nga konsumimi?

Ushqimi që duhet të eliminohet janë yndyrat e tepërta dhe të pashëndetshme, sheqeri i tepërt. Konsumoni ushqime që përmbajnë proteina, karbohidrate, fruta e perime të freskëta.

Çfarë përdor nga suplementet dhe cilat do t’i veçosh?

Sikur të detyrohesha të ndaja një suplement, atëherë ai do të ishin përfundimisht proteina whey, glutamina, vitaminat, mineralet.

Çfarë mesazhi u jepni të rinjve, të cilët e gjejnë kënaqësinë në këtë sport?

Bëni atë që ju argëton, atë që ju plotëson. Shfrytëzoni maksimalisht çdo ditë dhe përpiquni të përfshini aktivitetet sportive në jetën e përditshme të familjes suaj. Çdo gjë është e mundshme, mos kërkoni arsyetime që të ikni nga treningët. Jepni njëqind për qind në gjithë atë që bëni, sepse vetëm në atë mënyrë do të mundë të arrini versionin më të mirë për veten. Nuk është e lehtë, të gjithë e dimë që jeta është e rëndë dhe shpesh dorëzohemi dhe nuk jemi të vetëdijshëm si kemi arritur deri aty…

Esenca është në atë që sërish ngrihemi në këmbë dhe vazhdojmë rrugën tonë, sepse zemra dhe intuita jonë tashmë dinë ku dëshirojmë të arrijmë dhe çfarë dëshirojmë të jemi. Mos u brengosni çfarë flasin të tjerët, personi i vetëm të cilit patjetër duhet t’i jepni llogari është ai të cilin çdo mëngjes e shikoni në pasqyrë.

Për fund, tema gjithmonë është e njëjtë, mirëpo përgjigjet ndryshojnë. Na thuaj, çfarë sjell e ardhmja…?

Këto ditë garoj në Dubai, në kampionatin botëror. Jam përgatitur shumë mirë, shpresoj të përmbush qëllimet e mia edhe në këtë ngjarje impozante. Gjithsesi qëllimi im është paraqitja në krah me më të mirët, realizimi i suksesit të shkëlqyeshëm dhe të trondit skenën ndërkombëtare.

Në cilësitë e mia nuk dyshoj, kam dhënë çdo gjë nga vetja nëpërmjet këtyre përgatitjeve dhe këtë planifikoj edhe ta tregoj. Me punën në formën vetjake natyrisht po vazhdojmë dhe shpresoj që do të kem rastin për të fituar edhe ndonjë medalje.

Lutemi që nga gara në Dubai, të ktheheni i artë dhe faqebardhë. Sukseset tuaja e bëjnë krenar çdo shqiptar. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Konfirmojnë lidhjen e dashurisë - Erolld Belegu dhe Diola Dosti shfaqen më të lumtur se kurrë

Konfirmojnë lidhjen e dashurisë - Erolld Belegu dhe Diola Dosti shfaqen më të lumtur se kurrë

Magazina
Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Politikë
Aeroplani supersonik që ishte më i shpejtë se Concorde

Aeroplani supersonik që ishte më i shpejtë se Concorde

Amerika
Babai i Gentian Bejtjes: Nëse djali im ka vrarë e ka prerë, i jap dorën atij që e vrau!

Babai i Gentian Bejtjes: Nëse djali im ka vrarë e ka prerë, i jap dorën atij që e vrau!

Lajme
Premtimi i Abelard Tahirit: Nëse Kurti edhe një herë bëhet kryeministër, unë e lë mandatin e deputetit

Premtimi i Abelard Tahirit: Nëse Kurti edhe një herë bëhet kryeministër, unë e lë mandatin e deputetit

Lajme
Barcelona i përgjigjet çmimit që Man Utd i ka vënë kartonit të Greenwood

Barcelona i përgjigjet çmimit që Man Utd i ka vënë kartonit të Greenwood

La Liga
Kalo në kategori