LAJMI I FUNDIT:

Pesëmbëdhjetë pa Ibrahim Kodrën: Nuk ka art pa xixëllimat që na i jep në jetë Hyu

Pesëmbëdhjetë pa Ibrahim Kodrën: Nuk ka art pa xixëllimat që na i jep në jetë Hyu

Nga: Eda dhe Visar Zhiti

Ne e kemi njohur piktorin Ibrahim Kodra, ai e kishte të shenjtë miqësinë. Kemi qenë edhe në shtëpinë e tij në Milano, jemi kthyer në akademinë “Brera”, ku ai studioi dhe më pas mori famë në Itali dhe Evropë. Kodrën e kemi pritur edhe në Tiranë, kemi parë ekspozita të tij, libra dhe albume për të, kemi bërë dhe homazhe, në vendin ku prehet, në vendlindjen e tij, në Ishëm të Durrësit…

U bënë 15 vite nga shuarja e tij, nga ikja në qiell, por vepra e tij ndrit, me të vërtetë ndrit, me ato ngjyra të gëzueshme jete, kur arti i shekullit XX, i pas Luftës së Dytë Botërore në Perëndim, ra në një ekzistencializëm pesimist, në një alienim të pamëshirshëm, kurse te vepra postkubiste e Kodrës mbeti dhe një buzëqeshje fëminore dhe e mençur, po kështu dhe kujtimi i tij njerëzor, që sa më plak bëhej, aq edhe më shumë fisnik.

Siç duket, krahas miqve të mëdhenj që pati Kodra, piktorë së pari deri edhe Pikasson, poetë, madje bashkëpunoi me nobelistët italianë Eugenio Montale e Salvatore Quasimodo, ndërsa shkrimtarit Dino Buzzati do t’i thoshte “Po vizaton ashtu siç shkruan”, që e ngazëlleu së tepërmi, ishte bashkëqytetar me ta në Milano. Po kështu vazhdoi miqësitë edhe me brezin e mëpastajmë të tyre, si me poetin dhe kritikun e artit Sebastiano Grasso, i cili na bashkoi me Kodrën tonë etj. Po Kodra njihej edhe me Alberto Moravian, kishte pritur në shtëpi poetin francez Paul Eluard, kishte ndenjur me shkrimtarin amerikan Hemingway etj. Miq të tij ishin dhe të panjohur, fqinjët, kamerierët, mjekë, juristë, studentë etj., por mbi të gjitha fëmijët.

Ndërkaq, në biseda ai mallëngjehej menjëherë kur fliste për fshatin e lindjes, imazhin e nënës, shokët, kujtohej që para se të ikte me studime nga Mbretëria e Shqipërisë, ilustronte reklamat për filmat e rinj, tekstet e të cilave i bënte shkrimtari që do të burgosej më vonë, Mustafa Greblleshi; bëri kopertinën e romanit të njohur atëherë, “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit etj.; do të çmonte shumë si shkrimtar bashkatdhetarin e tij Kadare, shkonte në Kosovë ku e shpallën dhe akademik, takohej me presidentin Rugova apo priste prapë në shtëpi kitaristin me famë botërore Ehat Musa, që tashmë jetonte në Paris; e gëzoi pa masë monografia-album e Abdulla Tafës, pritjet në Tiranë, helikopteri presidencial që Berisha i vuri në dispozicion, por mbi të gjitha, prapë takimet e befta me fëmijët…

Prandaj dhe atij i mbeti ajo çiltërsi dhe ajo buzëqeshje fëminore gjithë jetën. Edhe ushqimet, kur e njohëm ne, na dukej se pëlqente nga ato të fëminisë dhe i patëm çuar në Milano gatime shqiptare, teksa i ndenjën pranë, në fillim arbëreshi Demetrio Patitucci e pastaj, deri në fund, edhe tani pas vdekjes, me një besnikëri epike, Fatos Dashi Faslliu, duke i dhënë gjuhë dhe copëza atdheu dhe ngrohtësi familjare të familjeve të tyre.

Por, fëmijët, vërtet fëmijët ishin gëzim për Kodrën. Dhe jo vetëm aq! Ka një mister në miqësinë e artistëve, poetë, piktorë, me fëmijët, marrin jo vetëm nga spontaniteti i tyre, por edhe nga ajo habi për të cilën arti ka aq shumë nevojë. Nuk ka art pa habinë magjepsëse. Pastaj, në kujtesën e fëmijëve gjyshi do të mbetet më gjatë, e thotë dhe Freudi pak a shumë kështu.

Duam të tregojmë, të kujtojmë diçka të gëzueshme me fëmijët, E ç’të kujtojmë më parë, kur për ne janë bërë aq të shtrenjta, qiellore… Ja, një herë në një festë me miq, kur Kodra po luante me dy fëmijë spanjollë, motër e vëlla, e i tha dikush përreth janë si engjëj fëmijët’. – Jo, – u përgjigj Kodra, – janë engjëj. Ndërsa në vendlindjen e tij, në fshatin Ishëm të Durrësit, i rrethuar nga qindra fëmijë të shkollës, u dëgjua t’i përgjigjej gazetarit të një televizioni që po e pyeste ndër të tjera se ç’fëmijë kishte: ja, të gjithë këta, – tha Kodra, dhe qeshi i gjithi: sytë, buzët, balli, duart…

E kishim parë në studion e tij, që ndërsa pikturonte totemin e tij të famshëm, po i shtonte një pinok përballë. ‘Do ia dhuroj një djali. Kemi miqësi familjare, më dha një orë për datëlindjen’, tregoi. Në kavaletin më tej kishte mbaruar një pikturë, që dhe ajo do të dhurohej, një kirurgu këtë radhë, në vend të pagesës për një operacion që kishte kryer mbi bashkëshorten e një miku.

Ndoshta të mbi gjashtëmijë pikturat e Kodrës, të shpërndara nëpër botë në të gjitha kontinentet, kanë nga një histori.

S’mund të rrimë pa thënë që Kodra i vonë u miqësua shpejt edhe me djalin tonë, Atjonin, dhe ai e deshi atë si një gjysh mitik, qëkur e pa, foshnjë në Romë, diku aty afër “Piazza di Spagna”, teksa rrekej të afrohej dhe befas binte. Kodra tha: “Po shpik të ecmen” dhe nisi ta vizatonte mbi gazetën që gjendej mbi tryezën tonë, ashtu siç ai e kishte zakon. Na skiconte edhe ne, kë t’i shkrepej. I ruajmë ato portrete me dashuri.

Kur u bë tre vjeç djali ynë, Kodra i dhuroi një pikturë me autograf. Rastet e bukura erdhën bujarisht për t’u takuar prapë. Kodrës i pëlqente të bënte lodra me fëmijët, nga ato që quhen “numra shpejtësie”, zhdukte letra, sajonte njolla nëpër duar pa u kuptuar, i mahniste fëmijët, këndonte… Lodrat që mësoi nga Kodra, Atjoni ua bënte fëmijë të tjerë dhe u dukej atyre si magjistar i vogël.

Së fundmi u panë në Tiranë. Kodra kishte sjellë një ekspozitë antologjike, më të madhen të tijën në Galerinë Kombëtare. Ishte viti 2003. Kështu u krijuan mundësitë të rrinim përsëri gjatë me Kodrën, në darkat ku ai rrethohej me miqtë e shumtë, në hollin e hotelit, ku linte qelqen me verë dhe tundohej si përherë të merrte një gazetë, menytë, jo që t’i lexonte, por të vizatonte mbi to, le të ishte ç’të ishte, edhe pjatë. Ngjyrat i kishte gati, nëpër xhepat e mëdhenj dhe të shumtë. Ashtu ishte i veshur, në mënyrën më piktoreske dhe vetë, por ndodhte të përdorte për ngjyrime edhe petlat e luleve e të gjetheve përreth.

Atjoni ishte tetë vjeç dhe tani me Kodrën fliste më gjatë e kuptohej më shumë. Dhe donte të bënte edhe ai diçka për të, gjyshin e artit, një si dhuratë, një vepër si të atij, postkubiste, një totem. “Homazh Kodrës”, kështu e titulloi, siç kishte bërë dhe Kodra dikur “Homazh “Pikassos”.

Piktura e Atjonit do të vlerësohej më pas nga kritikë arti, nga studiuesi Prof. Gëzim Qendro, kuratori i ekspozitës së Atjonit në Tiranë, po kështu dhe nga piktori dhe botuesi i njohur Gëzim Tafa, përgatitësi i Albumit të Atjonit, nga shikues të shumtë.

Dhe mbase edhe në qiell shkëmbejnë prapë piktura parajsore.

Ngjyrat e asaj miqësie që lidhën piktorin e madh Kodra me fëmijën me emrin Atjon, qoftë dhe për aq, çaste që fluturonin, tani vezullojnë me fuqinë e së vërtetës së bukur, janë dëshmi të një lumturimi që mbetet ashtu si një vepër arti. Nuk ka art pa xixëllima të tilla, që na i jep në jetë Hyu dhe nuk na i merr dot më…