Përparim Rama deklaron pasuri milionëshe, koleksioni i pikturave dhe pronat në Londër dominojnë regjistrin

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2026.
Dokumentet e publikuara pasqyrojnë një portofol të gjerë të pasurisë së paluajtshme, investimeve në shoqëri tregtare dhe një koleksion të vlefshëm arti, kryesisht të koncentruara jashtë Kosovës.

Pasuritë e paluajtshme dhe koleksioni i artit
Në listën e pasurisë së paluajtshme, Rama ka deklaruar pesë objekte kryesore, vlera e të cilave kap shifra milionëshe. Ndër to veçohen një banesë e blerë në vitin 2017 me vlerë mbi 2.5 milionë euro dhe një rezidencë e blerë përmes kompanisë "4MA LTD" në vlerë prej 1.17 milionë eurosh. Sipërfaqet e këtyre pronave variojnë nga 87 meter katror deri në 600 meter katror për objektet afariste, raporton Telegrafi.
Përtej pronave, kreu i Prishtinës zotëron një pasuri të luajtshme tejet të çmuar. Ai ka deklaruar një koleksion pikturash të trashëguara që nga viti 2004, vlera e të cilave është vlerësuar në 4 milionë euro. Po ashtu, regjistri përfshin një sërë pronash dhe apartamentesh në Londër, si dhe në Suedi, ku vlera e një blloku prej 10 apartamentesh në "Upper Fairfield Road" arrin në 5 milionë funte.

Aksionet dhe të hyrat vjetore
Përparim Rama vazhdon të mbajë pozita pronësore në tetë shoqëri tregtare, ku në shumicën prej tyre zotëron 100% të aksioneve. Kompanitë si "4MA LTD" dhe "4M shpk" janë ndër aktivet kryesore, me vlerë kapitali që shkon deri në 2 milionë euro.
Sa i përket të hyrave vjetore, përveç pagës neto nga Komuna e Prishtinës prej 16,848 eurosh, Rama arkëton shuma të konsiderueshme nga qiratë në Britaninë e Madhe. Nga pesë burime të ndryshme të qirave, ai ka deklaruar të hyra vjetore që kalojnë shumën prej 200,000 funtesh.
Por, ajo çfarë bie në sy është "kredia për blerje", ku thuhet se është marrë në vitin 1900, derisa do të kryhet po ashtu në vitin 1900.

Detyrimet financiare
Përkundër pasurisë së madhe, deklaruesi ka listuar edhe detyrime të rëndësishme financiare ndaj institucioneve bankare. Totali i kredive të marra për blerjen e pronave kap vlerën e miliona eurove, ku vetëm njëra nga kreditë për një banesë në Londër ka vlerën fillestare prej 1.11 milionë eurosh, me afat maturimi deri në vitin 2041.
Ky deklarim vjen si pjesë e obligimit ligjor për zyrtarët e lartë publikë në Kosovë, duke ofruar një pasqyrë të qartë të gjendjes financiare të të parit të kryeqytetit. /Telegrafi/






















































