Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në regjistrin e vitit 2026, kreu i komunës ka pasqyruar një portofol që bazohet kryesisht në pasuri të trashëguara, kursime bankare dhe të hyra nga pozitat shtetërore.


Portofoli i pasurisë së paluajtshme

Sipas dokumentit zyrtar, pasuria e paluajtshme e Pecit përbëhet nga katër asete kryesore, shumica e të cilave janë në pronësi të përbashkët.

Lista përfshin:

Një arë me sipërfaqe 5 ari e trashëguar në vitin 1958, vlera e së cilës është vlerësuar në 250,000 euro. Një shtëpi 144 meter katror e trashëguar në vitin 2003, me vlerë 40,000 euro.

Një banesë 98.70 meter katror e blerë përmes kredisë në vitin 2016, në vlerë prej 67,500 eurosh. Një arë tjetër prej 3 ari e trashëguar në vitin 1954, me vlerë 21,000 euro.

Në kategorinë e pasurisë së luajtshme, Peci ka deklaruar një veturë të blerë në vitin 2018 në vlerë prej 11,000 eurosh, e cila është financuar nga shitblerja e automjetit paraprak.

Kursimet dhe të hyrat vjetore

Sa i përket parasë së gatshme, kryetari Peci ka deklaruar kursime të konsiderueshme në institucionet bankare në Kosovë. Ai mban 25,630.10 euro në llogarinë e tij personale, ndërsa bashkëshortja e tij ka të kursyera 11,655.29 euro.

Të hyrat vjetore të deklaruara rrjedhin kryesisht nga angazhimet publike dhe sektori privat:

Paga nga Komuna e Mitrovicës së Jugut: 842.72 euro (si pagë neto).Paga nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: 22,103.20 euro.

Meditje për udhëtime zyrtare: 1,050.60 euro. Të hyrat e bashkëshortes: 13,600.50 euro nga puna në "Royal Medical L.L.C".

Statusi financiar pa detyrime

Një detaj i rëndësishëm në deklarimin e këtij viti është mungesa e detyrimeve financiare aktuale. Për dallim nga shumë zyrtarë të tjerë të lartë, në regjistrin e kryetarit Peci nuk figuron asnjë kredi apo borxh i papaguar ndaj personave juridikë apo fizikë.

Faton Peci ka marrë detyrën e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut më 12 dhjetor 2025, dhe ky raport përfaqëson pasqyrimin e parë të plotë të pasurisë së tij që nga marrja e këtij mandati. /Telegrafi/