Bashkimi është zgjuar nga gjumi. Prizrenasit pas një pushimi janë rikthyer furishëm. Së pari ‘Portokallinjtë’ arritën marrëveshje me trajnerin malazez, Miodrag Baletiq, i cili filloi punën të hënën. Prizrenasit gjithashtu kanë arritur marrëveshje edhe me dy basketbollistë të huaj, si dhe Mustafë Merovcin.

“Basketbollisti nga Mali i Zi, Boban Medenica, në stinorin e ri do ta vesh fanellën e portokalltë të Bashkimit. Medenica vjen nga skuadra e Superligës malaziase, Ulcinj, ku ka pasur mesatare prej 9.5 pikëve dhe 5.2 kërcimeve, ndërsa transferimi i tij është kërkuar pikërisht nga trajneri jonë i ri, Miodrag Baletiq. Ai më parë ka luajtur edhe për skuadra të tjera nga Mali i Zi si Jedinstvo, Gorstak, Ibon Niksic dhe Lovcen. Medenica është lojtar i pozitave 2-3, është 204 centimetra i gjatë dhe i ka 27 vjet. Basketbollisti në fjalë veçse ka arritur në Prizren, dhe pritet të dalë për herë të parë në stërvitje me ekipin”, thuhet në njoftimin e klubit prizrenas në ‘Facebook’. Lajmi është konfirmuar edhe menaxheri i Bashkimit, Arlind Kaçaniku.


Përforcimet tjera

Por, prizrenasit nuk janë ndalur me kaq. Në skuadër kanë afruar edhe një amerikan, duke paralajmëruar edhe përforcime tjera. “Louie McCroskey është transferi më i ri i skuadrës tonë. McCroskey luan në pozitën 2 dhe është 198 centimetra i gjatë.

Ai më parë ka luajtur për skuadra të ndryshme në SHBA, Kolumbi dhe Kanada. 29-vjeçari do të provohet gjatë kësaj jave në skuadrën tonë dhe më pas trajneri do të vendos nëse do të mbetet apo jo në skuadër”, është njoftimi tjetër nga skuadra prizrenase.

Bashkimi me përforcime po tregohet si një skuadër shumë më serioze se vitin e kaluar dhe me ambicie më të mëdha. Në skuadër gjithashtu është rikthyer edhe Mustafë Merovci. “Mustafë Merovci është transferimi i parë i skuadrës për stinorin e ri. Ish-basketbollisti ynë i cili e kishte veshur me sukses fanellën e portokalltë edhe gjatë stinorit 2012/13, është rikthyer në Prizren”, është njoftimi i parë i faqes në ‘Facebook’, duke u shpërndarë edhe në portale. /SportPlus/Telegrafi/ 

telegrafi sport app