LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësuesit e kompanisë “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia interesohen për investime në Kosovë

Përfaqësuesit e kompanisë “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia interesohen për investime në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, takoi sot përfaqësuesit e kompanive “Kosmonte Foods” nga Kosova dhe “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia, të cilat janë përkushtuar për investimin e ri në fushën e mbarështimit të shpezëve dhe prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit të freskët të shpezëve.

Drejtori Ekzekutiv i “Perutnina Ptuj Group”, Enver Sisic, prezantoi para kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve tjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës idenë e investimit me treguesit konkret.

Kurti e mirëpriti shprehjen e interesimit të partnerëve nga Sllovenia dhe Kosova për të investuar në Kosovë dhe i siguroi investitorët që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht që të lehtësojë ambientin e të bërit biznes dhe të investuarit në Kosovë.

“Kompanitë kredibile ndërkombëtare që sjellin njohuritë me fokus në cilësi, siguri dhe gjurmueshmëri, me rrjetet e tyre të shpërndarjes së produkteve nëpër botë, janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e kompanive “Perutnina Ptuj Group” dhe “Kosmonte Foods” për përparësitë konkurruese për të investuar në Kosovë dhe u ofroi mbështetjen institucionale në realizimin e interesimit të shprehur për investim në vendin tonë.

“Perutnina Ptuj Group” ka traditë 117 vjeçare në këtë sektor, punëson mbi 3,700 punëtorë në 7 shtete të ndryshme, ka mbi 500 bashkëpunëtorë të cilët rrisin zogj në mjediset e tyre natyrore, posedon 6 fabrika prodhimi dhe eksporton në 20 shtete në të gjithë botën.

Ndërsa partneri i tyre për Kosovë, “Kosmonte Foods” me traditë 22 vjeçare, është gjithashtu përfaqësues i tyre për tregun e Shqipërisë, Gjermanisë, Dubait dhe Katarit, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. /Telegrafi/