Këngëtari i njohur dhe mjeku stomatolog, Dr. Granit Hyseni, ka publikuar edhe zyrtarisht këngën e re “Peja jonë”, një dedikim plot dashuri për vendlindjen.

“Peja jonë”, një këngë e realizuar me shumë emocion dhe dashuri, kushtuar qytetit të tij të lindjes – Pejës.


Kënga vjen si një homazh për vendin ku artisti u lind, u rrit dhe u formua, duke sjellë përmes muzikës krenarinë, kujtimet dhe lidhjen e fortë shpirtërore me qytetin e tij.

Tekstin e këngës e ka shkruar Valerina Macula, ndërsa muzika, orkestrimi dhe incizimi audio mbajnë firmën e hit-kompozitorit të njohur kosovar, Afrim Macula.

Videoklipi i këngës ka sjellë në ekran bukuritë dhe frymën karakteristike të Pejës.

Në këtë projekt kanë kontribuar shumë personalitete dhe qytetarë të Pejës.

Granit Hyseni ka shprehur mirënjohje të veçantë për autorët e projektit, si dhe për artistin e njohur, këngëtarin Ramadan Krasniqi – Dani, i cili e ka mbështetur gjatë gjithë procesit të incizimit me këshilla dhe përvojën e tij artistike.

Një pjesë e rëndësishme e videoklipit është edhe pjesëmarrja e Klubit të Xhudos “Ippon” në Pejë, nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Driton Kuka, së bashku me kampionen olimpike Majlinda Kelmendi dhe anëtarët e klubit, të cilët i dhanë një dimension të veçantë këtij realizimi.

Atmosferën e videoklipit e pasuroi edhe grupi i vallëzimit të vajzave të Pejës, i udhëhequr nga profesori Tasim Dajçi, si dhe SHKA “Sofra Pejane”, që sollën elemente autentike të kulturës dhe traditës pejane.

Artisti ka falënderuar gjithashtu Genc Hysenin për angazhimin e tij në organizimin dhe realizimin e videoklipit, si dhe Dafina Mushkolajn, e cila me pjesëmarrjen e saj i dha hijeshi projektit.

Një mirënjohje e veçantë i është dedikuar edhe familjes së tij, për mbështetjen e pakursyer në çdo hap të rrugëtimit artistik.

Me projektin “Peja jonë”, Granit Hyseni synon të përcjellë emocion, dashuri dhe krenari për qytetin e Pejës dhe njerëzit e saj, duke e kthyer këtë këngë në një dedikim për të gjithë ata që e mbajnë vendlindjen në zemër. /Telegrafi/


- YouTube www.youtube.com