PDK-istët e Vitisë nuk merren vesh, ndërhyn qendra


Mospajtimet që kishin filluar kohë më parë ndërmjet kryetarit aktual të degës së PDK-së në Viti, Daut Xhemajli, dhe kryetarit të Komunës, Nexhmedin Arifi, që vjen po nga PDK-ja, po zvarrisin përfundimin e procesit zgjedhor në këtë degë.
Vitia është Dega e vetme e PDK-së që ende nuk e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe as nuk e ka përcaktuar datën. Dega tjetër e Anamoravës, Gjilani, do ta mbajë Kuvendin më 12 janar.
Duke e parë situatën në Viti, koordinatori i zgjedhjeve brendapartiake në PDK, Basri Musmurati, ka deklaruar se qendra tashmë është përfshirë në zgjedhjen e problemeve në këtë degë. “Të mërkurën do të mblidhet Kryesia Qendrore dhe do të vendosë për mbajtjen e Kuvendit në Viti...Edhe pse kryesia qendrore nuk është dashur të përzihet këtu fare, por kur shihet se palët nuk mund të zgjidhin problemet, nuk kemi s’i t’i ikim kësaj”, i tha Musmurati, Gazetës Jeta në Kosovë.
Kryetari i degës së PDK-së në Viti, Daut Xhemajli, thotë se zgjedhjet nëpër nëndegë tashmë kanë përfunduar, me përjashtim të nëndegës “Qendra”, e cila sipas tij, do ta përfundojë këtë proces brenda kësaj jave zgjedhjet. “Derisa për datën e kuvendit zgjedhor, kryesia do të përcaktohet, javën tjetër. Me këtë rast do të lajmërohet edhe kryesia e qendrore”, i tha Xhemajli, Gazetës JnK.
Kryetari Xhemajli dhe Kryesia e kësaj dege, përmes një komunikate të lëshuar javën e kaluar, kritikua kryetarin e Komunës, Nexhmedin Arifi, dhe tre anëtarë të tjerë, Taip Alidemën, Hetem Kurteshin dhe Sabri Sherifin, për “organizim të paautorizuar të kuvendeve paralele në këtë degë”.
Por, kryetari i komunës, Nexhmedin Arifi, ka mohuar të këtë ndërhyrë në organizimin të zgjedhjeve nëpër nëndegë. “Nuk kam marrë pjesë në asnjë organizim të zgjedhjeve nga nëndegët përveç asaj nga e cila vij unë, Sllatinë e Epërme”, tha Arifi.
Ai ka thënë se “zgjedhjet që janë mbajtur në nëndegët Zhiti, Radivojcë, Pozhoran dhe Sadovinë e Jerlive do të duhej të anulohen”, duke kritikuar mënyrën e organizimit, përzgjedhjes dhe përmbylljes së këtij procesi në këto nëndegë.
Arifi ka thënë se problemi është shumë më i thellë sesa duket dhe se mosmarrëveshjet kanë ndodhur për shkak të pakënaqësisë me ndarjen e pushtetit komunal.
Koordinatori i zgjedhjeve brendapartiake në PDK, Basri Musmurati, thotë kjo degë nuk mund të shkojë në kuvend të përgjithshëm, pa i zgjedhur problemet mes anëtarëve. Ai nuk ka dashur të komentojë se kush mund të ketë të drejtë ose jo. “Ne kemi filozofi shumë të thjeshtë. Vendimet do të merren në bazë të votimit demokratik dhe mënyrës se si vendosin shumica”, u shpreh ai.
Ndërkohë, kuvendet nuk kanë përfunduar ende edhe në dy komuna të tjera, atë të Gjilanit dhe në Leposaviq.
Dega e PDK-së në Gjilan, sipas Musmuratit do ta mbajë kuvendin e Degës me 12 janar, me fillim nga ora 10. Kurse për Leposaviq, ku PDK-ja deri më tani ka pasur vetëm nëndegë, ende nuk është vendosur për mbajtjen e kuvendit ku do të bëhet kalimi në degë dhe të zgjedhen organet drejtuese.
Sipas Musmuratit nga 34 degë të Partisë Demokratike në të cilat janë mbajtur kuvendet, në 25 prej tyre tashmë janë zgjedhur edhe kryetarët; 14 janë të rizgjedhur dhe 11 të rinj. Kurse në nëntë degë të tjera, përfshirë dhe në Prishtinë, të cilat i kanë përfunduar kuvendet, ende nuk janë zgjedhur kryetarët.
Kongresi i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës është caktuar të mbahet me datën 26 janar. /Telegrafi/




































