ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit E.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, vrasje në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “më 05 korrik 2026, rreth orës 22:30, në Rahovec, pas një mosmarrëveshjeje të çastit pranë lokaleve “C.B.” dhe “N.Q.B.”, i pandehuri dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka sulmuar të dëmtuarin F.M., duke i shkaktuar plagë në pjesët vitale të trupit.


"Si pasojë, i dëmtuari fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor. Në të njëjtin incident, i pandehuri dyshohet se ka lënduar edhe të dëmtuarin E.H., duke e goditur me thikë në këmbën e djathtë, me ç'rast ai ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal 'Isa Grezda' në Gjakovë".

Siç thuhet në njoftim gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Ndërkaq, me këtë vendim, i pandehurit E. H., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 6 korrik 2026 deri më 5 gusht 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/