Mike Tyson beson se Anthony Joshua vështirë se do të mund të dhurojë goditjet e tij të rënda kundrejt Tyson Furyt, në supermeçin e shumëpritur për unifikimin e titujve.

Dueli më i madh në histori të boksit britanik pritet të zhvillohet gjatë verës që vjen, ndërsa rimeçi me shumë mundësi do të caktohet për muajin nëntor ose dhjetor.

Dhe ish-kampioni i padiskutueshëm i botës beson se AJ nuk do të arrijë ta rrezikojë Gypsy Kingun e lëvizshëm.

(Foto: Getty Images/Guliver)

“Ju e dini se unë e dua shumë Joshuan. Por, Tyson është i pakapshëm, ai nuk do të arrijë ta godasë”, ka deklaruar ‘Iron Mike’ për The MacLife.

Legjenda beson se mungesa e shpejtësisë së AJ do të jetë pengesë në përballjen e tij ndaj kampionit të WBC-së.

“Dëgjoni, të jemi të sinqertë, në rregull? Më pëlqen Joshua. Më pëlqen shumë Joshua, në rregull? Ndoshta godet më shumë se… si e ka emrin ai tjetri me ngjyrë? Wilder. Ai nuk godet më shpejt se Wilder”.

(Foto: Instagram/anthonyjoshua)

“Nëse ai (Joshua) nuk godet më shpejt se Wilder, ai nuk do të arrijë as ta prekë këtë njeri (Furyn). Kështu e shoh unë”.

“Ai (Joshua) godet fort, por nuk godet shpejt. Nëse Tyson Fury arriti të shmangej nga goditjet e shpejta të Wilderit, Joshua mund të jetë në telashe”, ka theksuar Mike Tyson. /Telegrafi/

View this post on Instagram

A post shared by Tyson Fury (@gypsyking101)