Pamje të reja tregojnë se si i dyshuari për atentat ndaj Trumpit ka anashkaluar Shërbimin Sekret amerikan

Prokurorja amerikane, Jeanine Ferris Pirro publikoi një video ku shihet se si Cole Allen (31), i dyshuar për atentat ndaj Donald Trump, kalon pranë sigurimit dhe agjentëve të Shërbimit Sekret në hotelin Hilton Hotel, ku po mbahej darka e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Siç bëri të ditur ajo, Allen kishte qenë duke lëvizur në atë zonë të hotelit Hilton edhe një ditë para sulmit.
“Sot publikojmë një video që tashmë i është dorëzuar Gjykatës Federale të SHBA-së, në të cilën shihet se si Cole Allen qëllon një pjesëtar të Shërbimit Sekret amerikan gjatë përpjekjes së tij për atentat ndaj presidentit në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë”, deklaroi ajo krahas videos.
Ajo shtoi se hetimet po vazhdojnë. Cole Allen përballet me tri pika akuze dhe, nëse shpallet fajtor, rrezikon dënim me burgim të përjetshëm.
Pika e parë e aktakuzës lidhet me përpjekjen për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas pikës së dytë, ai akuzohet për transportimin e armës së zjarrit përtej kufijve shtetërorë me qëllim kryerjen e një vepre penale.
Pika e tretë e aktakuzës i referohet përdorimit të armës së zjarrit gjatë kryerjes së një krimi të dhunshëm.
I dyshuari u neutralizua dhe u arrestua, ndërsa një pjesëtar i Shërbimit Sekret mbeti i plagosur lehtë. /Telegrafi/
- YouTube youtu.be





















































