Palmer thyen heshtjen mbi mundësinë e kalimit nga Chelsea te rivali i madh i tyre

Cole Palmer ka reaguar më në fund ndaj raportimeve që e lidhin me një largim nga Chelsea për t’u transferuar te klubi i fëmijërisë së tij, Manchester United.
Të shtunën mbrëma, Chelsea pret Manchester United në Stamford Bridge në një përballje që mund të jetë vendimtare në garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë edhe për Palmer, i cili ka qenë një zbulim i madh për “Blutë” që prej transferimit nga Manchester City në shtator të vitit 2023.
Që atëherë, anglezi ka realizuar 53 gola dhe ka dhënë 32 asistime në 124 paraqitje, duke qenë një ndër lojtarët kyç në suksesin e klubit, përfshirë triumfin në Kupën e Botës për Klube verën e kaluar.

Forma e tij e shkëlqyer ka bërë që shumë klube të mëdha ta vendosin në krye të listës së dëshirave për afatin kalimtar të verës, përfshirë edhe Manchester United. Madje, muajt e fundit kanë qarkulluar lajme se lojtari do të ishte i hapur për një rikthim në Manchester.
Megjithatë, vetë Palmer i ka hedhur poshtë këto spekulime, duke theksuar se nuk ka asnjë plan për t’u larguar nga Chelsea.
“Gjithkush thjesht flet. Kur i shoh këto, vetëm qesh. Është e vërtetë që Manchesteri është shtëpia ime, e gjithë familja ime është atje, por nuk më mungon”.
“Ndoshta do të më mungonte nëse nuk do të shkoja për tre muaj apo diçka të tillë. Por kur shkoj në shtëpi, mendoj se në fakt nuk ka asgjë për mua atje”.
“Nuk kam plane të largohem nga Chelsea. Kemi ende shumë objektiva për të arritur”, ka thënë ylli anglez./Telegrafi/






















































