Ish-futbollisti i Anglisë, Raheem Sterling, është arrestuar nën dyshimin për vozitje nën ndikimin e drogës, pasi u përfshi në një aksident me Lamborghini-n e tij në autostradën M3 në Hampshire.

Sipas raportimeve, 31-vjeçari u ndalua nga policia rreth orës 09:00 të mëngjesit të së enjtes, pasi automjeti i tij u përplas me barrierat anësore të autostradës. Fatmirësisht, në incident nuk u përfshinë automjete të tjera dhe nuk pati persona të lënduar.


Sterling, i cili aktualisht është pjesë e Feyenoordit, u arrestua në vendngjarje dhe më pas u lirua me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Policia dyshon ish-anësorin e Anglisë për disa shkelje serioze, përfshirë vozitjen e automjetit në gjendje të papërshtatshme për shkak të drogës, vozitje të rrezikshme, posedim të një substance të klasës C dhe refuzim për të dhënë mostër për testim.

Policia e Hampshire lëshoi një deklaratë lidhur me rastin: “Pak para orës 09:00 të së enjtes, morëm raportime se një Lamborghini ishte përplasur me barrierat në M3 në drejtimin jugor, afër Minley Interchange”.

“Asnjë automjet tjetër nuk ishte i përfshirë dhe nuk pati raportime për të lënduar”.

“Shoferi, një burrë 31-vjeçar nga Berkshire, është arrestuar nën dyshimin për vozitje në gjendje të papërshtatshme për shkak të drogës, vozitje të rrezikshme, posedim të një droge të klasës C dhe refuzim për të dhënë mostër. Ai është liruar me kusht derisa hetimet të vazhdojnë”.

Sterling nisi karrierën e tij të madhe kur u transferua te Liverpooli nga akademia e QPR-së në vitin 2010, në moshën 15-vjeçare. Më pas ai kaloi te Manchester City, ku fitoi katër tituj të Ligës Premier, pesë Kupa të Ligës dhe një FA Cup.

Pas periudhave më pak të suksesshme te Chelsea dhe Arsenali, ai iu bashkua Feyenoordit si lojtar i lirë në muajin shkurt.

Në nivel ndërkombëtar, Sterling ka regjistruar 82 paraqitje me Anglinë dhe ka shënuar 20 gola./Telegrafi/

telegrafi sport app