LAJMI I FUNDIT:

Organizohet Software Freedom Kosova 2013

Organizohet Software Freedom Kosova 2013

Organizata joqeveritare FLOSS Kosova (shkurt FLOSSK) është duke punuar në organizmin e pestë me radhë të konferencës Software Freedom Kosova 2013 (SFK13), e cila do të mbahet më 7-9 Shtator në Prishtinë.

Software Freedom Kosova Conference (SFK) është konferenca vjetore më e madhe në Kosovë/Ballkan për promovimin e softuerit të lirë (free software), softuerit me kod burimor të hapur (open source software), kulturën e hapur dhe njohuritë e hapura, e kjo një lëvizje globale që ka filluar më shumë se 25 vjet më parë.

Çdo vit SFK ka ndjekur misionin e saj, edukimin e shoqërisë Kosovare mbi softuerin e lirë dhe me kod burimor të hapur, benefitet dhe komunitetin e tij. Konferencat e mëparshme kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në krijimin e lidhjeve të forta miqësore ndërmjet komunitetit lokal, atij rajonal dhe botëror. Për katër vite me radhë ne kemi sjellë së bashku zhvillues softueri, mendimtarë, udhëheqës dhe ofrues të bashkëpunojnë, mësojnë dhe ndajnë interesat e përbashkëta mbi softuerin e lirë dhe të hapur përmes një kombinimi ligjëratash dhe punëtorive.

Konferenca më saktësisht do ti mbajë ligjëratat në Fakultetin e Edukimit më 7 Shtator, kurse punëtoritë (workshopet) më 8 dhe 9 Shtator në Innovation Centre Kosovo (ICK).

FLOSS Kosova është organizatë joqeveritare, tani aktive në Kosovë për pesë vite, e themeluar me qëllim që të përkrah, promovoj dhe zhvilloj: Softuerin e Lirë, siç është definuar nga Free Software Foundation. Softuerin me Kod Burimor të Hapur, siç është definuar nga Open Source Initiative. Njohuri të hapura dhe pjesëmarrëse si ato të përkrahura nga Wikimedia Foundation. Edukim në teknologjitë informative nëpërmjet kurseve të hapura si ato nga MIT. Standarde, kulturë dhe shoqëri të hapur duke përdorur komunikim të lirë dhe të hapur si ato të mbështetura nga W3C dhe Creative Commons.

Hyrja në konferencë është e hapur për të gjithë (pa pagesë), megjithëse punëtoritë do kenë numër të limituar të pjesmarrësve – Regjistrimi për punëtoritë e konferencës dhe temat e konferencës do të jenë publike shumë shpejt.

Më shumë detaje rreth Software Freedom Kosova 2013 mund të gjeni në nyjen: http://sfk.flossk.org