Olivier Giroud do ta festojë 40-vjetorin në shtator, por pavarësisht moshës, sulmuesi legjendar francez nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli. Pas përfundimit të aventurës njëvjeçare te Lille, ai pritet të vazhdojë karrierën, ndërsa destinacioni i radhës mund të jetë Turqia.

Giroud e mbylli sezonin te Lille me paraqitje të mira: 11 gola në 44 ndeshje në të gjitha garat. Megjithatë, bashkëpunimi nuk u zgjat dhe që nga 1 korriku ai është futbollist i lirë, çka i jep mundësi të zgjedhë vetë klubin e ardhshëm.


Sipas raportimeve, Bursaspori është klubi që po e ndjek më seriozisht dhe e sheh si përforcim kyç për projektin e rikthimit në elitë. Kampioni i Turqisë i vitit 2010 ka kaluar një periudhë të vështirë financiare në vitet e fundit, duke rënë deri në rangun e katërt, por tash është në rrugë rikuperimi dhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e kategorisë së dytë turke.

Ambicia e Bursasporit është e qartë, sulm i menjëhershëm për ngjitje në Superligë. Drejtuesit po përgatisin përforcime me përvojë dhe emra të mëdhenj, ndërsa Giroud shihet si lider që mund të bëjë diferencën, si në fushë ashtu edhe në aspektin e imazhit.

Bisedimet kanë nisur. Raportohet se drejtuesit e klubit kanë zhvilluar një video-telefonatë me Giroud, i cili u ka paraqitur kushtet e tij. Pikërisht aspekti financiar mbetet pengesa kryesore. Oferta aktuale e Bursasporit thuhet se nuk i përmbush pritjet e sulmuesit.

Sipas të njëjtave burime, Giroud ka kërkuar pagë rreth 2 milionë euro në vit, shifër e përafërt me atë që ka fituar te Lille gjatë sezonit të fundit. Tani klubi turk po vlerëson nëse mund të shkojë drejt kësaj shifre për ta mbyllur marrëveshjen.

Nëse transferimi realizohet, Bursaspori do të fitonte një emër të jashtëzakonshëm. Giroud ka një karrierë të pasur me klube Montpellier, Arsenal e Chelsea, Milan dhe Los Angeles.

Me Francën numëron 137 paraqitje dhe 57 gola, duke fituar Kupën e Botës dhe Ligën e Kombeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app