“Office Romance” merr vlerësime negative, kritikët godasin filmin e Jennifer Lopez

Jennifer Lopez është rikthyer në ekran me filmin e saj më të ri, komedinë romantike “Office Romance”, e publikuar në platformën Netflix, por projekti nuk ka arritur të marrë vlerësimet e pritshme nga kritikët ndërkombëtarë.
Filmi, në të cilin Lopez luan përkrah Brett Goldstein, është përshkruar nga disa recensues si i dobët dhe i mbështetur në një formulë të konsumuar të komedive romantike.
Kritikat janë fokusuar veçanërisht te mungesa e kimisë mes dy protagonistëve dhe te skenari, i cili sipas tyre nuk sjell asgjë të re në zhanër, shkruan DailyMail.

Sipas kritikëve, “Office Romance” përmban humor të tepruar dhe skena që devijojnë nga tonaliteti tipik i komedive romantike, duke u cilësuar në disa raste si të pahijshme dhe të panevojshme për historinë.
Filmi tregon historinë e Jackie Cruz, një drejtoreshë ekzekutive në Cruz Airlines, e cila përballet me tensione profesionale dhe emocionale me një avokat të kompanisë, rol i luajtur nga Brett Goldstein.

Ndërkohë, dinamika mes personazheve zhvillohet mes sfidave të punës dhe ndjenjave të fshehura.
Pavarësisht pritshmërive të larta për rikthimin e Lopez në një zhanër ku ajo ka qenë më parë shumë e suksesshme, “Office Romance” nuk ka arritur të bindë kritikët, të cilët e kanë cilësuar si një hap prapa në karrierën e saj në komeditë romantike. /Telegrafi/













































