Administrata amerikane po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Mali, në kuadër të përpjekjeve për të goditur grupin militant Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin (JNIM), degën më të fuqishme të Al-Kaidës në rajonin e Sahelit.

Nëse presidenti amerikan, Donald Trump do ta autorizojë operacionin, kjo do të shënonte zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në një shtet të tetë gjatë mandatit të dytë të tij, shkruan uashingtonpost.


Brenda administratës amerikane ka debate për mënyrën e veprimit. Disa zyrtarë, përfshirë Sebastian Gorka, drejtor i lartë për luftën kundër terrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, mbështesin përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës kundër militantëve. Ndërkohë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë konfirmuar ndonjë plan konkret ushtarak.

Situata e sigurisë në Mali është përkeqësuar pas largimit të vendit nga aleancat tradicionale me Perëndimin dhe afrimit me Rusinë. Qeveria ushtarake në Bamako ka kërkuar mbështetje nga strukturat ruse, përfshirë Africa Corps, të lidhur me Kremlinin.

Sulmet e grupeve të armatosura kanë goditur objektiva strategjike dhe zyrtarë të lartë të qeverisë. Në një sulm në prill u vra edhe ministri i Mbrojtjes i Malit, Sadio Camara.

Uashingtoni ka kritikuar rolin e Rusisë në rajon, duke e cilësuar Moskën një “partner joefektiv të sigurisë” për Malin në luftën kundër terrorizmit.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një ndërhyrje e njëanshme ushtarake mund të krijojë pasoja të paparashikuara, duke destabilizuar më tej rajonin ose duke forcuar grupe rivale, përfshirë degët e Shtetit Islamik në Sahel.

Ekspertët e sigurisë argumentojnë se, përveç operacioneve ushtarake, nevojiten zgjidhje politike dhe dialog afatgjatë, pasi ndërhyrjet e jashtme në Sahel deri tani nuk kanë arritur të sjellin stabilitet të qëndrueshëm. /Telegrafi/