LAJMI I FUNDIT:

OEK dhe OEAK: Zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i Qeverisë

OEK dhe OEAK: Zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i Qeverisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) së bashku me Odën Amerikane të Kosovës (OEAK), kanë mbajtur konferencën për media, ku trajtuan aktualitetin politik dhe ekonomik në Kosovë, e në veçanti sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat në vend.

Të dy Odat kërkuan që pas këtij ngërçi tre vjeçar prioritet i Qeverisë të jetë zhvillimi ekonomik i bazuar në partneritetin publiko-privat.


Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se gjatë këtyre tri viteve të ngërçit politik ekonomia e Kosovës ka pësuar humbje në shumë dimensione. Ai tha se tani është urgjente që të avancohet partneriteti publiko-privat.

“Janë tri vite të humbura dhe në këto tri vite ekonomia e Kosovës vërtet ka pësuar humbje në shumë dimensione. E them këtë sepse përveç pasojave politike e integruese ka ndikuar që edhe qytetarët të ikin nga vendi. Tani është një momentum i ri, është kohë urgjente për avancim të partneritetit publiko-privat, që institucionet të bashkëpunojnë me sektorin privat në mënyrë që të promovohet një frymë e re që ekonomia dhe zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i Qeverisë për të ardhmen”, tha Gërxhaliu.

Ai foli edhe për problemet që po kalon Kosova sa i përket furnizimit me energji elektrike për cka tha se me këtë gjendje është e pa mundur të flitet për investime të huaja direkte.

“Nuk ka më arsyetim institucional që kinse rryma nuk po paguhet sepse qytetarët po e kryejnë obligimin e tyre por edhe më tutje po përcillen nga terri. Për shkak të kësaj gjendje prodhimet kosovare që në start do të jenë për 13 për qind më të shtrenjta se konkurrenca”, shtoi ai.

Nga ana e tij, kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka, shprehu shqetësimet e komunitetit të biznesit sa i përket dialogut publiko- privat për çka tha se është parë një përkeqësim i gjendjes.

“Dua të shpreh shqetësimin e komunitetit të biznesit për sa i përket zhvillimit të dialogut publiko-privat. Ne besojmë që ka pasur një përkeqësim në këtë aspekt dhe këtë e themi duke u bazuar në disa fakte duke qenë që Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik këtë mandat të qeverisë është mbledhur vetëm një herë dhe atë pa rezultate”, tha Zeka.

Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimet mbi plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shoqëri Tregtare i cili në mënyrë arbitrare obligon shoqëritë aksionare të aplikojnë kuota gjinore në bordet e tyre. Sipas tij ky Ligj është antikushtetues dhe duhet të kthehet prapë në Kuvend të Kosovës nga Presidenti i vendit.

“Një argument tjetër po aq i fuqishëm sa i përket dialogut publiko privat është edhe Ligji i fundit për Shoqëri Tregtare i cili në dëgjimin e dytë në Kuvend, në mënyrë të paprecedent deri më tani ndryshon me një propozim i cili hidhet aty për aty në seancë dhe arriti të marr aprovimin e deputeteve të Kuvendit, i cili në mënyrë arbitrare vendos kuota për sa i përket përfaqësimit gjinorë në shoqëritë aksionare”, tha ai.

Zeka tha se ky Ligj gjithashtu do të ketë ndikim negativ në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Ky ligj do të ketë ndikim negativ në aspektin e tërheqjes së Investime të Huaja Direkte. Këto dispozita ne i konsiderojmë antikushtetuese dhe kemi kërkuar nga presidenti që këtë Ligj ta kthej në Kuvend”, shtoi Zeka.

Në fund, Odat kërkuan fuqizimin e funksionimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, sepse skandali i fundit me importin e mishit me afat të skaduar është treguesi i punës jo të mirë dhe të kësaj Agjencie dhe u kërkua nga bizneset e qytetarët të janë më aktiv për denoncimin e rasteve të tilla. /Telegrafi/