eksperti-banner

“Nëse vazhdon të stërvitesh kështu, nuk do të të zgjidhja as unë”, kjo është fjalia që Tijjani Reijnders thotë se ia ndryshoi jetën.

Sot ai është një nga mesfushorët më të vlerësuar në futbollin evropian dhe pjesë e Manchester Cityt, por vetëm pak vite më parë realiteti i tij ishte krejt ndryshe.


Kur Phil Foden e Erling Haaland po mahnisnin botën e futbollit, mesfushori holandez po punonte në një supermarket, kurse në një intervistë së fundmi ka shpjeguar si kritikat e prindërve e “zgjuan nga gjumi”.

“Në moshën 19-vjeçare, ndërsa lojtarë si Phil Foden dhe Erling Haaland po bënin emër në futbollin evropian, unë po punoja në Aldi”.

“Pas shkollës ngisja biçikletën drejt supermarketit, mbushja raftet dhe skanoja produkte për disa orë çdo ditë. Nuk ishte jeta që e kisha imagjinuar për veten. Ëndrra ime ishte futbolli, por në atë kohë dukej sikur po largohej gjithnjë e më shumë”.

Në atë periudhë, Reijnders ishte pjesë e ekipit U19 të PEC Zwolle, por nuk po merrte minutat që dëshironte.

“Luaja për ekipin U19 të PEC Zëolle, por nuk po merrja minuta. Madje erdhi një moment kur nuk isha as në listën e skuadrës”.

“I zhgënjyer, iu ankova babait tim. Ai erdhi të më shihte në stërvitje dhe më tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: ‘Nëse vazhdon të stërvitesh kështu, nuk do të të zgjidhja as unë’”.

“Ishte e dhimbshme ta dëgjoja. Në rrugën për në shkollë qava aq shumë sa mezi shihja rrugën. Mendoja se ëndrra ime kishte marrë fund”.

Megjithatë, më vonë atë mbrëmje, babai i tij i dha një tjetër mesazh.

“Por atë mbrëmje, babai më tha se kisha talent, vetëm se duhej të punoja më shumë”.

“Shpresoja që nëna ime të më mbronte, si gjithmonë. Por ajo më pa në sy dhe tha: ‘Tijjani… ai ka të drejtë’”.

“Ato fjalë më zgjuan. Nuk kërkova më justifikime. Fillova të stërvitesha dyfish më fort. Vrapime shtesë, palestër, punë individuale. Çdo ditë bëra një hap më shumë drejt ëndrrës sime”.

“Pak vite më vonë erdhi kontrata ime e parë profesionale me AZ Alkmaar. Më pas erdhën momentet e vështira, huazimet, pritja për një shans dhe dyshimet nëse do t’ia dilja ndonjëherë. Por nuk u dorëzova”, kujton ai.

Nga AZ Alkmaar, rruga e tij vazhdoi drejt Milanit dhe më pas drejt Manchester Cityt, kurse tani po shkëlqen edhe me Holandën në Botërorin 2026./Telegrafi/

telegrafi sport app