Një ndërtesë në Rumani është goditur nga një “Geran-2” - çfarë lloj droni rus është ai?

Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka konfirmuar se droni pa pilot që u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në Galați ishte një “Geran-2” rus.
Bëhet fjalë për një dron që Rusia e prodhon sipas modelit iranian “Shahed”. Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa dy persona janë lënduar.
Ekipet e specializuara të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit të Inteligjencës rumun po vazhdojnë këqyrjen e vendit të ngjarjes në zonën e ndërtesës në Galați.
Dronët “Geran” prodhohen nga Rusia, janë zhvilluar mbi bazën e modelit iranian “Shahed” dhe përdoren gjerësisht nga Rusia që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës.
“Sipas informacioneve të para, duket se e gjithë ngarkesa e dronit tip ‘Geran-2’, me origjinë ruse, ka shpërthyer në momentin e goditjes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të premten në mëngjes.
Çfarë lloj droni është?
- YouTube www.youtube.com
“Geran-2” është versioni rus i dronit iranian “Shahed-136”. Bëhet fjalë për një dron të ashtuquajtur “kamikaz”, pra i përdorimit një herë, i cili bart eksploziv dhe përplaset qëllimisht në objektiv.
Është një dron relativisht i lirë, i ngadalshëm dhe i zhurmshëm, me krahë në formë delta. Ka gjatësi rreth 3.5 metra, hapje krahësh rreth 2.5 metra, peshë rreth 200 kilogramë dhe fluturon me shpejtësi rreth 180–185 km/h.
Mund të mbajë disa dhjetëra kilogramë eksploziv, zakonisht rreth 50 kilogramë, ndërsa në versionet më të reja ruse raportohen edhe koka luftarake më të rënda.
Navigimi i tij bazohet kryesisht në sistem satelitor dhe inercial, që do të thotë se nuk kërkon kontroll të vazhdueshëm nga operatori gjatë fluturimit.
Një nga avantazhet kryesore për Rusinë është kostoja e ulët, që lejon përdorimin në numër të madh. Këto sulme e ngarkojnë mbrojtjen ajrore, pasi Ukraina detyrohet të përdorë raketa shumë më të shtrenjta për t’i rrëzuar.
Rusia e përdor masivisht këtë dron për sulme ndaj infrastrukturës energjetike, portuale dhe civile të Ukrainës. /Telegrafi/















































