Një kundërsulm vendos gjithçka, Gana rrëmben tri pikët në fund ndaj Panamasë


Kombëtarja e Ganës e nisi me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Panamanë me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e Grupit L.
Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e pestë të kohës shtesë, kur Caleb Yirenkyi përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë dhe i siguroi tri pikë të arta skuadrës së tij.
Panamaja ishte skuadra më e rrezikshme në pjesën e parë dhe që në minutën e dytë krijoi një rast të shkëlqyer me Waterman, por portieri Lawrence Ati-Zigi reagoi mrekullueshëm.

Amerikanolatinët kontrolluan posedimin dhe ritmin e lojës, ndërsa në minutën e 33-të kërkuan edhe një penallti pas rrëzimit të Martinezit në zonë, por gjyqtari nuk akordoi asgjë.
Pak para pushimit, Zigi pësoi një lëndim në kofshë dhe u detyrua të largohej, me Asare që zuri vendin e tij në portë.
Në pjesën e dytë, Gana u shfaq më e rrezikshme. Adjetey rrezikoi me kokë, ndërsa Panamaja humbi rastin më të mirë të ndeshjes në minutën e 60-të me Martinezin, i cili nuk arriti të gjejë rrjetën nga një pozitë ideale.
Në vazhdim, Jordan Ayew ishte pranë golit për Ganën, por mbrojtësi Ramos ndërhyri në momentin e fundit dhe largoi rrezikun. Më pas, i njëjti lojtar i Panamasë krijoi një rast të mirë në anën tjetër, por gjuajtja e tij përfundoi pranë shtyllës.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej pa gola, Gana goditi në kohën shtesë. Në minutën e 95-të, Brandon Thomas-Asante depërtoi nga krahu i majtë dhe pasoi në shtyllën e dytë, ku Caleb Yirenkyi nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetën e zbrazët për 1-0.
Panamaja u hodh menjëherë në sulm dhe ishte pranë barazimit në sekondat e fundit, por goditja me kokë pas një tollovie në zonë nuk gjeti kuadratin. Pas vërshëllimës së fundit pati edhe tensione mes lojtarëve të të dyja skuadrave, duke i dhënë fund një ndeshjeje dramatike.
Me këtë fitore, Gana siguron tri pikët e para në Grupin L, ndërsa Panamaja mbetet pa pikë pavarësisht paraqitjes së mirë. /Telegrafi/





































