LAJMI I FUNDIT:

Një epokë e re në industrinë e automjeteve: 18 dollarë në muaj për ngrohjen e ulëseve

Një epokë e re në industrinë e automjeteve: 18 dollarë në muaj për ngrohjen e ulëseve

Prej disa kohësh përflitet se disa veçori të automjetit do të jepen me qira, me një tarifë mujore, dhe disa prodhues tashmë e kanë ofruar.

Pasi Lynk&Co ofroi konceptin e përdorimit të një automjeti përmes një programi mujor të qirasë, tani po ofron një shërbim të ngjashëm për sa i përket pajisjeve të veturave. Ideja është që të gjitha veturat të prodhohen me pajisje të kompletuara dhe më pas me kërkesë të pronarit, në baza mujore, të përfshihen disa opsione.

Në këtë mënyrë, pronari do të paguante një tarifë abonimi për një pjesë të caktuar të pajisjes, siç, për shembull, ai paguan një tarifë abonimi për disa programe televizive ose shërbime muzikore.

BMW sapo ofroi diçka të tillë në Kore. Në kuadër të shërbimit Connected Drive Store mundësohet aktivizimi i disa opsioneve, me pagesën e një tarife mujore.

Nëse një pronar BMW dëshiron ulëse me ngrohje, do t’i kushtojë 18 dollarë në muaj, ose 175 dollarë nëse përdor shërbimin për një vit.

Nëse ai dëshiron shërbimin e ulëses me ngrohje përgjithmonë, do t’i kushtojë rreth 400 dollarë.

E njëjta gjë vlen edhe për timonin me ngrohje me një çmim fillestar prej rreth 10 dollarë në muaj, ose pak më pak se 95 dollarë në vit. Një qira e përhershme kushton rreth 220 dollarë.

Lista përfshin gjithashtu opsione të shumta si lidhja me celular Apple Car Play, dritat e avancuara, sistemet e sigurisë, etj.

Opsioni IconicSounds Sport, i cili lejon që tingulli i një motori sportiv të gjenerohet në altoparlantët, tregon se kanë ardhur disa kohë të reja. Dikur kjo kënaqësi ishte falas në modelet me motorë me gjashtë cilindra, por sot kushton 135 dollarë.

Me komercializimin më të gjerë, gjasat për hakerimin e shërbimeve të tilla rriten. Me sa duket, shumë do të rrezikojnë gjithashtu të humbasin garancinë e tyre në këmbim të zhbllokimit të të gjitha opsioneve të disponueshme.

A jeni mes tyre?  /Telegrafi/