Nisin punimet për rrethrrotullim në dalje të Gjilanit drejt Prishtinës

Komuna e Gjilanit ka nisur punimet për ndërtimin e një rrethrrotullimi në kryqëzimin e rrugës transit, në dalje të qytetit drejt Prishtinës, një pikë e njohur për vështirësi të shumta në qarkullim.
Fillimin e punimeve e kanë parë nga afër kryetari i komunës, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Kryetari Hyseni ka theksuar se ky projekt është pjesë e zotimeve të realizuara për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet.
“Pas përfundimit të procedurave administrative dhe lidhjes së kontratës, kemi nisur me intervenimet e para në terren”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, kryqëzimi në magjistralen Gjilan–Prishtinë nuk do të jetë më pikë bllokimi, pasi ndërtimi i rrethrrotullimit pritet të eliminojë kolonat e gjata dhe të lehtësojë qarkullimin për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, ka theksuar se ky lokacion ka qenë ndër më problematikët për lëvizjen e automjeteve.
“Problemet janë evituar, kontrata është nënshkruar dhe kemi nisur punimet dhe së shpejti do të kemi rrethrrotullimin”, ka thënë ai.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se projekti synon të përmirësojë sigurinë dhe rrjedhshmërinë e trafikut në këtë segment të rëndësishëm rrugor. /Telegrafi/




















































