Një muaj pas raportimeve për mbindërtim në një kompleks banesor në lagjen Lakrishte të Prishtinës, Komuna ka nisur rrënimin e ndërhyrjeve të dyshuara pa leje në banesën që i përket Juliana Nurës, finalistes së edicionit të parë të “Big Brother VIP Kosova”.

Në fillim të shtatorit, banorët e kompleksit kishin ngritur shqetësime për punime në katin e fundit të ndërtesës, ku dyshohej për shtesa ndërtimore (mbindërtim) dhe mungesë të kushteve të sigurisë gjatë punimeve.


Pas reagimeve të banorëve, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, kishte konfirmuar për media se në vendngjarje janë hasur punëtorë dhe se është konstatuar një “tentativë për mbindërtim”, duke i dhënë pronarit të objektit 7 ditë afat për rrënim vullnetar.

@prive.libertaspahiu Julit i rrënohet mbindërtimi, pamje nga vendngjarja e paralajmërimi i saj: 'Kam me ja nisë me folë' #juliananura #privebylibertaspahiu #bigbrothervipkosova
♬ original sound - Prive by Liberta Spahiu

Tani, një muaj më vonë, procesi i rrënimit ka filluar zyrtarisht. Sipas pamjeve të publikuara nga Prive By Liberta Spahiu, një makineri e rëndë është angazhuar gjatë ditës së sotme për të rrënuar pjesën e mbindërtuar në banesën e Nurës.

Vetë Juliana ka reaguar në mënyrë indirekte përmes një story në Instagram, duke shprehur pakënaqësinë e saj ndaj institucioneve. Ajo ka postuar një mesazh që lidhej me problemet pronësore në Shqipëri, duke shkruar: “Edhe unë valla kam me ja nis me fol çka ndodh në këtë shtet”.

Foto: Juliana Nura/InstaStory

Aktualisht, hapësira e banesës është e pabanueshme, ndërsa rrënimi dhe dëmet financiare që vijnë pas tij pritet të kenë kosto të lartë për Nurën, pasi punimet, sipas të gjitha gjasave, janë kryer pa lejen përkatëse komunale.

Ky rast ka ngjallur reagime të shumta në publik, duke risjellë në vëmendje temën e mbindërtimeve të paligjshme në kryeqytet dhe zbatimit të masave nga inspektorati komunal. /Telegrafi/