ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Nis mbyllja e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes me Danimarkën.

Ky objekt do të shfrytëzohet për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës.


Oda e Avokatëve ka thënë se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës që ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan dhe transferimi i personave që kanë qenë në këtë qendër drejt institucioneve të tjera korrektuese.

“Oda e Avokatëve të Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kosova dhe Danimarka në vitin 2022 nënshkruan marrëveshje 10-vjeçare për transferimin e të burgosurve nga shteti nordik. Marrëveshja parasheh që Danimarka të marrë me qira 300 qeli burgu në Gjilan, derisa Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Sipas marrëveshjes, të burgosurit që do të transferohen nga Danimarka në Kosovë nuk duhet të jenë të dënuar për krime të rënda dhe mbi 10 vjet e të mos kenë probleme mendore.

Plani ka hasur në kundërshtime në Danimarkë, madje për një kohë ishte i pezulluar për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.