ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

“Ç’rëndësi ka përkatësia etnike? E rëndësishme është të jemi njerëz”.

Kështu e komenton Dragana nga Krushevci thirrjen për bojkotimin e një furre buke në këtë qytet të Serbisë qendrore, e cila është në pronësi të një shqiptari.


Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se e njeh pronarin e furrës dhe familjen e tij, të cilën e përshkruan si “të mirë dhe të ndershme”.

“Ata kanë ardhur këtu shumë kohë para luftës (1998-1999). Ç'rëndësi ka që është shqiptar? A duhet të jemi kundër tij vetëm për këtë arsye? Ne t’i bojkotojmë shqiptarët këtu (në Serbi), ata t’i bojkotojnë serbët në Kosovë... Nuk e kuptoj përse duhet të ndodhë gjithë kjo. Lëreni popullin të jetojë”, thotë Dragana.

Gjatë fundjavës së shkuar, në një shtyllë pranë furrës së bukës, një person i panjohur vendosi një poster me përmbajtje fyese dhe diskriminuese.

“Kujtojeni Gazimestanin! Mos blini nga ‘shiptari’ [v.j. term përçmues për shqiptarët]”, shkruhej në poster, i cili, ndërkohë, u hoq nga hapësira publike.

Çfarë ndodhi në Gazimestan?

Më 28 qershor, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan - afër Prishtinës - Policia e Kosovës ndaloi 37 persona, ndërsa 36 prej tyre, kryesisht nga Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u proceduan para gjykatës.

Ata u dënuan me dëbim nga Kosova, ndalim hyrjeje për tre vjet dhe gjoba, pasi brohoritën “Kosova është Serbi”, duke ngritur edhe tre gishta.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këto u vlerësuan si mesazhe nacionaliste.

Më pas, në opinion u shfaqën pretendime se disa nga të ndaluarit ishin keqtrajtuar psikikisht dhe fizikisht nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se do t’i shqyrtojë ato sipas detyrës zyrtare.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë nisi hetime, sipas detyrës zyrtare, për të njëjtat pretendime.

Thirrja për bojkotimin e furrës në pronësi shqiptare në Krushevc nxiti reagime nga autoritetet lokale, opozita dhe Avokati i Popullit i Serbisë.

Edhe banorët e Krushevcit, me të cilët bisedoi ekipi i Radios Evropa e Lirë pranë furrës, e cila gjendet rreth një kilometër larg qendrës së qytetit, e dënuan diskriminimin mbi baza etnike.

Bojani beson se edhe serbët në Kosovë përballen me forma të ndryshme diskriminimi, por thekson se thirrjet për bojkotimin e një furre në pronësi të një shqiptari në Serbi nuk do ta përmirësonin jetën e tyre.

“Kjo është marrëzi”, thotë shkurtimisht ai.

Danijella thotë se nuk e kishte parë posterin me thirrjen për bojkotim, por shton se edhe po ta kishte parë, nuk do ta ndryshonte qëndrimin e saj dhe do të vazhdonte të blinte në atë furrë, sepse, siç shprehet, “nuk më interesojnë nxitjet e urrejtjes”.

“Pse duhet të shohim se kush i përket cilit komb? Nuk e kuptoj çfarë kuptimi ka kjo. Vetëm provokojnë dhe i shqetësojnë njerëzit", thotë ajo.

“Përndjekja nuk guxon të bëhet normalitet”

Lëvizja opozitare e Qytetarëve të Lirë ishte e para që vuri në dukje posterin diskriminues në Krushevc, më 4 korrik, me vërejtjen se njerëzit specifikë po ekspozohen ndaj “presionit, persekutimit dhe dhunës së mundshme”.

Ksenija Bradiq Veloviq, anëtare e Kuvendit Komunal të Krushevcit nga kjo parti, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo formë përndjekjeje mbi baza etnike, nuk duhet të bëhet normalitet dhe se diskriminimi duhet të ndalet që në fillim.

Ajo tregon se ishte vetë ajo që e njoftoi pronarin e furrës për posterin, por se ai nuk i ishte dukur i shqetësuar apo i frikësuar.

“Me gjasë, ishte hera e parë që përballej me diçka të tillë. Më tha se familja e tij jeton këtu prej 50 vjetësh. Gjyshi i tij ishte i pari që erdhi në Krushevc dhe ata kanë jetuar e punuar këtu me ndershmëri”, thotë Bradiq Veloviq.

Sipas saj, nacionalizmi është ende i pranishëm në shoqërinë serbe dhe për këtë arsye duhet reaguar ndaj çdo shfaqjeje të tij, sado e vogël të jetë.

“Fakti që një njeri në Krushevc përndiqet dhe i rrezikohet ekzistenca, nuk do t’i zgjidhë problemet politike apo statusin e serbëve në Kosovë. Nuk do t’i zgjidhë as frustrimet e dikujt, sepse një qytetar i zakonshëm nuk mund të mbahet përgjegjës për pasojat e politikave të gabuara”, thotë ajo.

Reagimi i autoriteteve lokale

Komuna e Krushevcit dënoi më 7 korrik çdo thirrje për diskriminim, përhapje të urrejtjes dhe nxitje të përçarjes mes qytetarëve.

Përmes një komunikate, ajo tha se Krushevci ka qenë gjithmonë një qytet i sigurt, si për ata që kanë lindur aty, ashtu edhe për ata që kanë ardhur për të jetuar, punuar apo në vizitë.

“Prej shekujsh kemi ndërtuar frymën e respektit të ndërsjellë, tolerancës dhe bashkëjetesës. Për këtë arsye, veprime të tilla të izoluara nuk përfaqësojnë as Krushevcin dhe as banorët e tij”, thuhej në reagim.

Autoritetet lokale u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta zbardhin sa më shpejt rastin, të identifikojnë autorin dhe të sqarojnë motivet e këtij veprimi.

Edhe Avokati i Popullit i Serbisë, Zoran Pashaliq, kërkoi që organet kompetente të hetojnë urgjentisht vendosjen e posterit me përmbajtje të urrejtjes ndaj pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare dhe që përgjegjësit të identifikohen dhe të ndiqen sipas ligjit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Prokuroria e Lartë Publike në Krushevc nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me veprimet që kanë ndërmarrë për këtë rast.

Ky nuk është rasti i parë kur familjet shqiptare në Serbi bëhen cak i presionit.

Në mesin e muajit shkurt, policia vendosi masa të shtuara sigurie pranë furrave në pronësi të shqiptarëve në Surdulicë, në jug të Serbisë, pas protestave të shkaktuara nga rritja e tensioneve ndëretnike.

Ato shpërthyen pasi një banor i qytetit humbi jetën në një aksident trafiku, ndërsa i dyshuari ishte një i ri me kombësi shqiptare.