LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e David De Geas, besimi i madh i Sir Alex, periudha e vështirë dhe shndërrimi në njërin prej më të mirëve në botë

Ngritja e David De Geas, besimi i madh i Sir Alex, periudha e vështirë dhe shndërrimi në njërin prej më të mirëve në botë

Performanca e David De Geas në ndeshjen kundër Arsenalit ishte unike, prekje e rekordit dhe e vulosi vendin e tij si një prej portierëve më të mirë në botë.

Reflekset e spanjollit janë mbresëlënëse dhe aftësia e tij për ta ndalur topin me këmbë është e paarritshme.

(Foto: Getty Images)

Megjithatë, rrugëtimi i tij drejt majës nuk ka qenë aspak i lehtë. Ai është dashur të tejkalonte sfida dhe vazhdimisht është testuar karakteri i tij.

De Gea futet në histori të Ligës Premier pas paraqitjes ndaj Arsenalit
Lexo po ashtu De Gea futet në histori të Ligës Premier pas paraqitjes ndaj Arsenalit

Që nga mosha e re, dashuria e De Geas për sportin ishte e madhe. Ai ka luajtur basketboll dhe tenis dhe ka qenë i mirë në të dyja këto sporte. Mirëpo, futbolli ishte pasioni i tij dhe ai dëshironte të ndiqte hapat e babait të tij, Jose, një ish-portier i Getafes.

Fakte për De Gean

(Foto: Getty Images)
I lindur më 7 nëntor 1990 në Madrid të Spanjës
Iu bashkua Atletico Madridit si 13 vjeçar, pasi ish-trajneri i tij, Juan Luis Martin, gënjeu për interesimin e Rayo Vallecanos
Debutimin e tij si lojtar profesional e bëri në moshën 18 vjeçare
Në vitin 2010 i ndihmoi Atleticos ta fitonte trofeun e Europa League
U transferua te Manchester Unitedi për 18.9 milionë funte (21.5 milionë euro) në qershor 2011, duke vënë asokohe rekordin transferues për një portier në Angli
E ka fituar Ligën Premier (2013), FA Cup (2016), League Cup (2017) dhe Europa League (2017)
Tri herë është shpallur lojtari më i mirë i sezonit nga tifozët e Manchester Unitedit
Katër herë është përfshirë në ekipin e vitit në Ligën Premier
Fitues i intervenimit të ditës gjatë viteve 2013-2016
Ka regjistruar 25 paraqitje me Spanjën
(Foto: Getty Images)

Te babai i tij, David gjeti trajnerin e përsosur. Ai ishte i pranishëm në secilën ndeshje dhe në çdo seancë stërvitore. Pastaj e këshillonte, i tregonte se çfarë duhet të bëjë dhe e kritikonte. Të gjithë këtë e bënte që djali i tij ta realizonte ëndrrën.

Si i ri, atij iu dha mundësia që t’i bashkohej Atletico Madridit. Në fakt, ish-trajneri i tij në shkollën e futbollit Casarrubuelos në Madrid, ka rrëfyer se i kishte thënë trajnerit të kadetëve të ekipit B të Atleticos, Emilio Garcia, kinse De Gea kërkohej nga Rayo Vallecano dhe po qe se nuk vepronin shpejt, ai do të shkonte atje.

“Më duhej t’i shtypja paksa. Rashë në kontakt me Emilion dhe i thash se duhet të bënin diçka ose djaloshi do të shkonte te Rayo. Nuk ishte e vërtetë. Por, Ruso Diego, ish-portieri i Atleticos, e pa Davidin duke e zhvilluar gjysmën e ndeshjes dhe kjo mjaftoi. Ata e transferuan menjëherë”, ka treguar Juan Luis Martin.

(Foto: Getty Images)

De Gea u desh të largohej nga shtëpia e tij në Toledo. Me nënën fliste në telefon katër herë në ditë, pasi ajo donte të dijë se a është duke mësuar në shkollë. Ndërsa babai i tij nuk mungonte në stërvitje, qoftë në borë ose në shi, sepse dëshironte të dinte për progresin e djalit të tij.

“Prindërit e mi udhëtonin 50 kilometra në ditë për të më parë në fushën stërvitore të Atleticos, në zonën e Alarconit”, ka treguar portieri, i cili gjatë gjithë këtyre viteve e ka ruajtur afërsinë me prindërit. Ata madje janë vendosur edhe në Angli, për të jetuar afër djalit të tyre.

Spanjolli u ngrit shumë shpejt në nivelet e klubit të Atleticos, talenti i tij ishte i dukshëm dhe ai debutoi si portier profesional në moshën 18 vjeçari. Ishte ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Portos, ku e zëvendësoi portierin me përvojë Roberto. Në atë ndeshje, De Gea pranoi dy gola të vonshëm.

Debutimi në La Liga i portierit që është hipermetrop (pra mban thjerrëza për largpamësi), ishte kundër Real Zaragozas. Në atë ndeshje (që përfundoi 2-1 për Atleticon), ai pranoi një gol, po e mbrojti një penallti.

Nën drejtimin e trajnerit Sanchez Flores, De Gea e zuri vendin e portierit kryesor te Los Rojiblancos. Natyrisht se kishte gabime me kalimin e javëve, por që përkonin me moshën e tij.

(Foto: Getty Images)

Në janar të vitit 2010 nisën spekulimet për transferimin e tij te Manchester Unitedi, mirëpo portieri qëndroi edhe 18 muajt në vazhdim te Atletico, duke e fituar Superkupën e UEFA-s dhe titullin e Europa League.

Në verën e vitit 2011, Sir Alex Ferguson kishte vendosur që De Gea të ishte zëvendësuesi i Edwin Van der Sar. Shifra prej 18.9 milionë funtesh (21.5 milionë euro) dukej shumë e lartë për një portier, i cili kishte më pak se dy vite përvojë në ekipin e parë.

Mirëpo, Sir Alex ishte i bindur se spanjolli ishte numri 1 i ardhshëm i Djajve të Kuq. Madje, ai mungoi në një ndeshje për të shkuar ta shihte si mbron. Hera tjetër e vetme kur skocezi kishte munguar në një ndeshje ishte për dasmën e djalit të tij.

(Foto: Getty Images)

Asokohe portieri i Spanjës U-21 e nisi seoznin 2011/2012 si portieri kryesor i Manchester Unitedit. Që nga fillimi kishte të tillë që dyshonin. Paraqitja e tij në Community Shield (që Unitedi e fitoi me rezultat 3-2 ndaj Manchester Cityt) u shoqërua me kritika.

Në javën pasuese, portieri debutoi në Ligën Premier dhe gjashtë muajt e parë në futbollin anglez ishin të vështirë, pasi e kishte ndërruar ligën, vendin dhe gjuhën. Asokohe si portier 20 vjeçar, ai ishte vazhdimisht në ballinat e gazetave sportive si shënjestër për kritika.

Për ta larguar nga kritikat e vazhdueshme, Ferguson e tërhoqi nga pozita e portierit kryesor dhe në vend të tij e angazhoi Anders Lindegaardin. Atëherë De Gea kishte menduar të largohej nga Unitedi për t’u kthyer në Spanjë, sepse po vuante.

(Foto: Getty Images)

Në Mançester gjithçka kishte ndryshuar për portierin e ri. Stërvitje të vazhdueshme, ndryshim i mënyrës jetësore, ndryshim i ushqyerjes – gjithçka që ai urrente të bëjë. Pasi i kaloi katër ndeshje në bankën rezervë, De Geas iu dha rasti bë barazimin 3-3 ndaj Chelseat, ku bëri disa intervenime të rëndësishme.

Në këtë mënyrë iu rikthye vetëbesimi dhe nga ai moment, spanjolli nuk shikoi më prapa. Unitedi i fitoi tetë ndeshjet e radhës me De Gean në mes të shtyllave. Ai ishte transformuar – i ndalte harkimet me autoritet dhe e vendoste trupin e tij në zona të rrezikshme kur ishte nevoja.

Në sezonin pasues, kaloi edhe një pjesë të shkurtër në bankën rezervë, mirëpo kur u kthye në portë, ai nuk u largua më. Në sezonin e fundit të Fergusonit si trajner i Manchester Unitedit, De Gea e mori medaljen e kampionit të Ligës Premier (sezonin 2012/2013).

(Foto: Getty Images)

Me angazhimin e David Moyes në postin e trajnerit të Djajve të Kuq, Unitedi kaloi një periudhë të vështirë, mirëpo në këtë kohë u vu në pah cilësia e De Geas, i cili me intervenimet e tij në shumë raste ishte shpëtimtar. Në fund të sezonit 2013/2014, ai u shpall lojtari i vitit te Manchester Unitedi. Këtë çmim e fitoi edhe në dy sezonet e ardhshme.

Forma e mirë bëri që Real Madridi t’i kërkonte shërbimet e De Geas. Në verën e vitit 2015, transferimi ishte shumë pranë të ndodhte. Portieri e deshi kalimin te Los Blancos, pasi Unitedi ishte në pozitë të vështirë nën drejtimin e Moyes dhe pastaj të Louis van Gaal.

Saga e transferimit u përfol gjatë gjithë verës deri në ditën e fundit të afatit kalimtar. Ishte arritur marrëveshja që De Gea të kalonte te Reali për 29 milionë funte (33 milionë euro), ndërsa Keylor Navas do të shkonte në Old Trafford. Mirëpo, kur u mbyll afati kalimtar, transferimi nuk ndodhi, sepse Unitedi kishte dështuar të dërgimin e dokumentacionit të nevojshëm me kohë.

(Foto: Getty Images)

Ai u kthye me paraqitjet e tija mbresëlënëse në portën e Unitedit. Portieri i ndihmoi skuadrës ta fitonte Kupën FA në vitin 2016 dhe më pas Kupën e Ligës dhe Ligën e Evropës nën drejtimin e Jose Mourinhos (2016/2017).

Nën drejtimin e portugezit, forma e De Geas vetëm sa u ngrit dhe kulmoi në ndeshjen kundër Arsenalit në fundjavën që shkoi, në të cilën ishte më meritori për triumfin e Djajve të Kuq. Duke mos bërë gabime, ishte portieri njeriu që ia fitoi ndeshjen Unitedit.

Dy gola i shënoi Jesse Lingard dhe një Paul Pogba (para se të përjashtohej me karton të kuq), por pa praninë e spanjollit në portë, skuadra do të ishte mposhtur. De Gea regjistroi 14 pritje duke e barazuar rekordin në Ligën Premier. Intervenimet më mbresëlënëse ishin kur i ndali rastet e Alexandre Lacazette dhe Alexis Sanchez.

(Foto: Getty Images)

De Gea dallon nga shumica e portierëve pasi preferon t’i ndalë goditjet me këmbë. Ai është duke vënë standarde të reja se si duhet ta mbrojë topin një portier, ndërsa trajnerët janë duke i inkurajuar portierët e rinj që të shfrytëzojnë pjesën e poshtme të trupit për t’i bllokuar goditjet drejt portës, po aq sa edhe duart e tyre.

Kjo është arsyeja pse De Gea po shndërrohet në portierin më të mirë në botë. Ai nuk është thjesht një portier, por një revolucionar në mes të shtyllave që po sjell teknika të reja të mbrojtjes. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Ligue 1
Barcelona ka dy javë kohë për të zgjedhur numrin 10 – në klub kanë tri opsione

Barcelona ka dy javë kohë për të zgjedhur numrin 10 – në klub kanë tri opsione

La Liga
Nuk ishte vetëm dëshira e Mbappes, te PSG zbulojnë se kush tjetër konsiderohet fajtor për largimin e francezit

Nuk ishte vetëm dëshira e Mbappes, te PSG zbulojnë se kush tjetër konsiderohet fajtor për largimin e francezit

Ligue 1
“Nuk pendohem që e shita, ishte marrëveshje e mirë” - pronari i Cluj flet pas shitjes së Ermal Krasniqit

“Nuk pendohem që e shita, ishte marrëveshje e mirë” - pronari i Cluj flet pas shitjes së Ermal Krasniqit

Ligat tjera

"Unë thjesht dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
Kalo në kategori