Futbolli ka shkruar edhe një herë një nga ato histori të pabesueshme që tejkalon sportin dhe shërben si një frymëzim i vërtetë. Vëmendja është përqendruar te futbollisti danez, Marius Kryger Lindh, i cili lindi pa parakrahun e djathtë dhe bëri histori me golin e tij kundër Koper në kualifikueset e Ligës së Konferencës.

Klubi i Lindh, NSI Runavik nga Ishujt Faroe, bëri një surprizë të klasit të parë duke eliminuar ekipin slloven Koper në raundin e dytë kualifikues të garës së tretë evropiane për klube.


Pas një humbjeje 3-1 në ndeshjen e parë në shtëpi, Runavik fitoi 3-1 në Slloveni në vazhdime, me kohën e rregullt që u mbyll 0-2. Klubi nga Ishujt Faroe fitoi më pas 4-3 pas penalltive dhe kaloi tutje në raundin e tretë.

Ishte Lindh ai që shënoi golin vendimtar në minutën e 70-të për ta çuar rezultatin në 2-0, duke e dërguar NSI Runavik në vazhdime.

from soccer

Ajo që e bën këtë histori vërtet të veçantë është fakti se ai u bë vetëm lojtari i dytë pa një parakrah që shënon në një garë evropiane për klube.

I pari që e bëri këtë ishte irlandezo-veriori Jimmy Hasty, i cili shënoi si lojtar për klubin irlandez Dundalk më 25 shtator 1963 në një fitore 2-1 ndaj klubit zviceran Zurich në Kupën Evropiane.

Hasty, i quajtur me nofkën "Mrekullia me një krah" nga tifozët e tij, mbetet një legjendë, dhe tani, 63 vjet më vonë, Lindh e ka përsëritur këtë sukses të pabesueshëm.

Lindh në aksion ndaj Koperit

Një rrugë frymëzuese drejt skenës evropiane

Marius Kryger Lindh (27 vjeç) është një mesfushor danez i lindur pa parakrah të djathtë dhe është i vetmi futbollist aktiv pa një krah që luan në një nivel kaq të lartë ndërkombëtar.

Ai mbërriti në Ishujt Faroe në vitin 2022 për të luajtur futboll profesional dhe ka luajtur për klubet AB, B36 dhe NSI. Ai madje u emërua lojtari i vitit në vitin 2024 ndërsa luante për B36.

Përpara se të vinte në Ishujt Faroe, ai luajti për skuadrën daneze Slagelse. Ai shënoi golin kundër Koper në paraqitjen e tij të gjashtë në Ligën e Konferencës, dhe për Runavik në 24 ndeshje këtë sezon ai ka katër gola dhe gjashtë asistime.

Në raundin e tretë kualifikues, Runavik do të përballet me Luganon. Edhe pse zviceranët janë favoritë në letër, skuadra nga Ishujt Faroe ka treguar tashmë se është e aftë për vepra të mëdha, kështu që sigurisht nuk do të jetë e lehtë për ta. /Telegrafi/

telegrafi sport app