Momente tmerri në Ankara - babai e nxjerr në dritare vajzën trevjeçare dhe e kërcënon me thikë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Ankaranë, ku një burrë mbajti peng vajzën e tij trevjeçare, e kërcënoi me thikë dhe e nxori jashtë dritares së apartamentit, duke e lënë të varur në ajër pas një konflikti të ashpër me bashkëshorten.
Falë ndërhyrjes së forcave speciale të policisë turke, fëmija u shpëtua pa pësuar lëndime.
Sipas raportimeve të medias turke Halk TV, incidenti ndodhi në lagjen Etimesgut të kryeqytetit turk.
Dyshohet se gjithçka nisi pas një debati mes bashkëshortëve për shkaqe që ende nuk janë bërë publike.
Pas përplasjes, burri kërcënoi se do t’i merrte jetën vajzës së tij.
Gjatë situatës dramatike, ai e mbajti të miturën peng ndërsa ishte i armatosur me thikë. Tensioni arriti kulmin kur u shfaq në dritaren e banesës duke e mbajtur fëmijën jashtë saj, duke shkaktuar alarm dhe panik te banorët e zonës.
Pamjet e incidentit, të publikuara në rrjetet sociale, tregojnë momentet e frikshme që paraprinë ndërhyrjen e policisë dhe shpëtimin e vajzës së vogël. /Telegrafi/


































