Presioni ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është rritur dhe jo rrallëherë nga komuniteti ndërkombëtar kanë thënë se në Evropë ka modele të ndryshme, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në rastin e Asociacionit.
I fundit që përmendi këto modele ishte i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha më 5 gusht, gjatë një bisede me gazetarët, se praktikat që mbrojnë trashëgiminë dhe gjuhën amtare të minoriteteve – pa shkelur Kushtetutën e shtetit ku jetojnë – ndoshta mund të përdoren “si udhëzues për të zbatuar Asociacionin”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë është arritur edhe marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij Asociacioni.
Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe ka shtuar se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore nga Qeveria e Kosovës.
Serbia insiston që Asociacioni të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive, por Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik.
Disa shtete evropiane kanë rregullime të ndryshme sa i përket të drejtave të minoriteteve, duke nisur nga të drejtat gjuhësore e kulturore, si dhe përgjegjësi të tjera, sikurse ato të rendit dhe mbledhjes së taksave.
Por, analistët evropianë thonë se një model për Asociacionin duhet të bazohet në strukturën demografike dhe kontekstin politik të Kosovës.
Modeli i Zvicrës
Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë për Radion Evropa e Lirë se përderisa ka shumë praktika evropiane sa i përket të drejtave të minoriteteve, çështja qëndron se cilat nga këto modele janë të përshtatshme për Kosovën.
Shembullin e parë që ai përmend, që do të mund të aplikohej edhe në Kosovë është ai i Zvicrës, e cila përbëhet nga 26 kantone.
“Në kontekstin e raporteve të mira dhe tensioneve të ulëta, mund të shikoni shembujt sikurse të kantoneve zvicerane, që në masë të madhe janë vetëqeverisëse, deri në pikën që janë përgjegjëse për kufijtë e jashtëm të Zvicrës. Kur arrini në aeroport, kaloni përmes kontrolleve të policisë së kantonit, pra nuk ka polici zvicerane. Pra, të gjitha kantonet kanë përgjegjësi për kufijtë e jashtëm në emër të Konfederatës Zvicerane”, thotë Prelec.
Në Zvicër, përveç zbatimit të ligjit, kantonet kanë fuqi dhe përgjegjësi edhe sa i përket fushës së shëndetësisë, mirëqenies, edukimit dhe mbledhjes së taksave.
Prelec, po ashtu, tregon se në disa rajone spanjolle, sikurse Katalonja, kanë forca të veçanta policore, krahas atyre kombëtare. Katalonja është një rajon që ka status autonom dhe që për një kohë të gjatë kërkon pavarësi nga Madridi zyrtar.
Edhe në marrëveshjen e parë të Asociacionit, të vitit 2013, ishte paraparë që katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) udhëheqësi i policisë të ishte një serb nga Kosova. Ndërkaq, që atëherë, në struktura të policisë veçse janë inkuadruar pjesëtarët e komunitetit serb.
Sipas Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, të drejtat kolektive të komunitetit serb në Kosovë, që Asociacioni është thënë se do t’i mundësonte, janë edhe në Pakon e Ahtisaarit, dokument që i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Siç kam thënë edhe në të kaluarën, zgjidhjet [për Asociacionin] duhet të bazohen në parimet e Planit të Ahtisaarit, që lidh të drejtat kolektive me vetëqeverisjen lokale, që është modeli skandinav për demokraci dhe decentralizim dhe që i kundërvihet traditës post-jugosllave të një decentralizimi autoritar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Modelit skandinav që i referohet Weberi, zbatohet në Belgjikë sa i përket të drejtave të minoriteteve, përfshirë edhe përdorimin e gjuhës amtare në shkollim në komunitetet ku jetojnë këto pakica.
Të drejtat e gjera për minoritetet në Finlandë
Por, modele të avancuara për të drejtat e minoriteve, sa i përket gjuhës dhe mbrojtjes së kulturës, ka edhe në shtetet nordike, sikurse Finlanda.
Suedezët që jetojnë në Finlandë, në bazë të Kushtetutës së shtetit, kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre në shkolla, por edhe përdorimi i dialekteve të tyre është i mbrojtur në komunitetet ku jetojnë.
Por, siç tregon Prelec, në këtë shtet është edhe rajoni i ishujve Aland, që ka një autonomi më të gjerë dhe komunitetet lokale kanë gjuhë zyrtare suedishten, por edhe përgjegjësi edhe të tjera.
“Komuniteti lokal vendos nëse njerëzit nga pjesë të tjera të Finlandës mund të zhvendosen atje që është një fuqi mjaft e gjerë e përgjegjësisë që i është dhënë një komuniteti”, thotë ai.
Sa i përket përdorimit të gjuhës, në Kosovë gjuhë zyrtare, përveç shqipes është edhe serbishtja.
Të drejtat gjuhësore të minoriteteve në Itali
Italia, po ashtu, është një shembull sa i përket disa rregullimeve për të drejtat e minoriteteve. Nga 20 rajonet, në Itali janë pesë rajone me status autonom. Këto rajone, pavarësisht këtij statusi, janë ende pjesë e Italisë, por gëzojnë një kontroll më të madh mbi rregullimin e brendshëm, duke filluar nga gjuha, por te disa edhe te mbledhja e taksave.
Një prej tyre është rajoni Trentino-Alto Adige, ku jeton minoriteti gjermano-folës, por edhe minoritete të tjera gjuhësore. Ky rajon, sipas Prelecit, ka rregulla mjaft të komplikuara sa i përket gjuhës, dhe gjuhë zyrtare janë italishtja dhe gjermanishtja.
“Përfaqësimi është i strukturuar duke pasur për bazë balancat demografike midis gjermano-folësve dhe italiano-folësve. Rajonet italiane, po ashtu, kanë përgjegjësi të ndryshme sa i përket mbledhjes së taksave dhe vetëm një prej tyre ka përgjegjësinë e plotë për mbledhjen e taksave në territorin e tyre”, thotë ai.
Në këto rajone italiane, gjithashtu, aplikohen sisteme të përziera të mbledhjes së taksave, ku shumica e tyre shkojnë në qeverisjen qendrore dhe qeverisja qendrore vendos për shpenzimin e tyre për projektet në këto zona.
Në këtë kuadër, edhe marrëveshja për Asociacionin parasheh që ky organ të merret me zhvillimin e ekonomisë lokale dhe të fushatave të tjera, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin.
Prelec shton se të gjitha këto modele mund të funksionojnë nëse krijohen politika që u mundësojnë serbëve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre dhe jo të jenë, siç thotë ai, të deleguar nga Beogradi.
Por, ai tërheq vërejtjen se jo domosdo këta shembuj do të ishin një ide e mirë për Kosovën.
“Janë më shumë dëshmi se ka shumë mundësi që mund të bëni dhe njëkohësisht të ruani integritetin e shtetit. Është e mundshme që të bëhet pothuajse gjithçka kur ka vullnet politik, por tani nuk ka vullnet politik”, thotë ai.
Por, Weber, është më pesimist sa i përket Asociacionit. Ai thotë se pavarësisht se ka modele të shumta në Evropë, “asnjëra nuk do ta zgjidhë” problemin e Asociacionit.
Ai thotë se ka shumë aspekte në Asociacion, që janë problematike dhe të parën e rendit, siç e quan ai,“traditën nacionaliste post-jugosllave për të territorializuar çështjet etnike”.
“Kjo ndryshon të gjitha diskutimet për të drejtat e ‘minoriteteve’ dhe së dyti, fakti që marrëveshja e parë e Asociacionit e vitit 2013 ka shërbyer si mbulesë për Beogradin që të nisë t’ua shesë serbëve në veri të Kosovës se ka nisur ta pranojë faktin e Kosovës së pavarur”, thotë ai.
Kosova do modele zhvillimore e jo etnike
Teksa kanë kaluar nëntë vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë për Asociacionin, komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i bën thirrje Kosovës që ta zbatojë këtë marrëveshje dhe ka thënë se nuk do t’i imponojë modele Prishtinës.
Sa i përket modeleve, i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë më 8 gusht tha se është i interesuar për modele, të cilat janë zhvillimore.
“Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik”, tha Kurti.
Ndërkaq, si Prelec, ashtu edhe Weber, thonë se Asociacioni që në fillim është përdorur nga Beogradi si pjesë e një propagande, për t’i “mashtruar” serbët se do t’u jepte një autonomi më të madhe.
Prelec thotë se marrëveshjet për Asociacionin nuk kanë pasur për bazë dhënien e një autonomie, apo krijimin e një strukture sikurse Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Ndërkaq, Weber thotë se diskutimet për kompetencat ekzekutive për Asociacionin – dëshirë e shprehur nga zyrtarët serbë në Beograd – shfaqin thelbin e problemit të këtyre çështjeve.
“Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje për Asociacionin pa i zgjidhur problemet strukturore që qëndrojnë pas tij. Kjo në radhë të parë nënkupton se e vetmja mënyrë për të arritur një marrëveshje është një rinisje serioze e dialogut politik, që vjen nga nivelet e larta në Uashington, Berlin dhe Paris”.
“Dhe, ky format diskuton për çështjen e statusit dhe e bën të qartë nga fillimi se marrëveshja përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse ka të bëjë me pranimin nga Serbia të realitetit të Kosovës së pavarur dhe duke e njohur atë. Vetëm brenda kësaj kornize mund të gjendet një zgjidhje për Asociacionin”, thotë ai.
Pavarësisht se Prelec thotë se duke pasur parasysh kontrollin që Serbia ka mbi Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve në Kosovë – për dhënien e të drejtave të zgjeruara, që ai i quan edhe si një lloj statusi autonom për komunitetin serb, në këtë kohë është vështirë të flitet. Por, ai thotë se të drejta të zgjeruara janë të nevojshme në Kosovë.
“Personalisht, ideja e Asociacionit, nuk mendoj që ka qenë ide e mirë që në fillim dhe nuk jam i bindur që do të realizohet plotësisht. Mendoj se ka një nevojë për një lloj statusi autonom për komunitetin serb të Kosovës që mbron plotësisht integritetin e Kosovës si shtet dhe sovranitetin e Kosovës”, thotë ai.
Prelec dyshon se Asociacioni mund të realizohet ndonjëherë plotësisht, për shkak të raporteve jo të mira mes Kosovës dhe Serbisë. Por, nëse raportet përmirësohen, ai thotë se mund të merren për bazë disa nga shembujt evropianë që u kanë dhënë përgjegjësi më të mëdha komuniteteve të caktuara.
Megjithatë, Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar idenë për një autonomi për serbët, që ka thënë se do të mund të ishte e paraqitur si një Republika Sërpska, ndërkaq Escobar më 5 gusht tha se Asociacioni nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet të krijojë “shtet brenda shtetit”. /rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSulmi në Ibër-Lepenc, Kurti ekspozon emblemat e konfiskuara: Dëshmi e përfshirjes së grupeve ektremiste serbo-ruse
Kontrolli në banesën e Veliajt, SPAK del me reagim zyrtar
47-vjeçari ndërroi jetë në Korçë pas aktit seksual, në burg për prostitucion 37-vjeçarja
Vdiq pas aktit seksual në makinë, telefoni zbardhi detaje të ngjarjes në Korçë
Mbi 250 intelektualë shqiptarë nënshkruan letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kërkuan të mos preket ligji i gjuhës shqipe
Vlorë, flamingot ‘pushtojnë’ Lagunën e Nartës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Ana merr mbështetje masive online pas sulmeve dhe dramave në Big Brother VIP Kosova
“Produksion i pisët” - Ana reagon në Instagram pas videos së ish-të dashurit
Lideri rebel sirian jep intervistën e parë - zbulon qëllimin dhe strategjinë për rrëzimin e Assadit
Pas ngritjes së aktakuzës së re ndaj Thaçit nga Specialja, reagon Krasniqi
Shpërthimi i fundit në veri të Kosovës, Bislimi: Kemi dëshmi për komunikimet përpara dhe ndoshta pas sulmit
Arteta i thotë ylli të Arsenalit se është i lirë të largohet qysh në janar