LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Mjedisit propozon ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në institucionet publike

Ministria e Mjedisit propozon ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në institucionet publike

Nën udhëheqjen e koordinatorit të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, është mbajtur takimi i radhës dhe ku është miratuar propozim-vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje ne objektet e institucioneve publike, i cili do të procedohet për miratim në Qeveri.

Matoshi ka thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike ka për qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit.


“MMPH më qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit, ka dërguar në Qeveri dhe Kuvend, Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, po ashtu Qeveria e Kosovës ka miratuar planin e veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend”, tha Matoshi.

Ai tregoi për veprimet që kanë ndërmarrë ministritë përkatëse të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja duke përmendur kështu ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në institucione edukativo arsimore nga MASHT, angazhimin e MZHE-së në shtrirjen e rrjetit të ko-gjenerimit dhe ndërrimin e filtrave të termocentralit “Kosova B”.

Po ashtu, Matoshi tregoi se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave, me rastin e kontrollimit teknik të automjeteve si dhe fillimin e vendosjes së pullave ambientale nga janari i vitit 2019, ndërsa Policia e Kosovës do të asistojë Inspektoret e Komisionit për Miniera dhe Minerale për ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit siç parashihet edhe me Ligjin për Miniera.

Sipas Matoshit edhe Ministria e Shëndetësisë do të punojë në informimin e qytetarëve për pasojat e përdorimit të thëngjillit për ngrohje dhe rëndësinë e mbrojtjes se ajrit nga ndotja. /Telegrafi/