Ministri polak kritikon presidentin e Polonisë: Vendimi ndaj Zelenskyt ishte poshtërues


Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, ka kritikuar publikisht presidentin polak, Karol Nawrocki për vendimin e tij që t’ia heqë presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”, dekoratën më të lartë shtetërore polake.
Sikorski e cilësoi këtë veprim si të tepruar dhe poshtërues për liderin ukrainas, duke theksuar se reagimi i autoriteteve polake nuk ishte i duhuri.
“Përgjigjja jonë ishte e papërshtatshme, sepse e poshtëroi personalisht Presidentin e Ukrainës”, deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë polake shtoi se, nëse presidenti Nawrocki do ta kishte konsultuar para marrjes së vendimit, ai do të kishte propozuar një zgjidhje tjetër.
“Nëse Presidenti Nawrocki do të më kishte pyetur, do t’i kisha sugjeruar, për shembull, që aeroporti në Jasionka të emërtohej sipas viktimave të UPA-së. Kjo do të ishte një mënyrë më e balancuar për të përcjellë mesazhin”, tha Sikorski.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm nxjerrin në pah dallimet brenda udhëheqjes polake lidhur me mënyrën e menaxhimit të marrëdhënieve me Ukrainën, në një kohë kur dy vendet përballen me çështje të ndjeshme historike, por mbeten partnerë të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbështetjes kundër agresionit rus. /Telegrafi/



































