LAJMI I FUNDIT:

Ministri Murati dhe drejtori i OPEC nënshkruajnë marrëveshje 40 milionë dollarëshe për financimin e politikave zhvillimore

Ministri Murati dhe drejtori i OPEC nënshkruajnë marrëveshje 40 milionë dollarëshe për financimin e politikave zhvillimore

Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, Abdulhamid Alkhalifa dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati sot kanë nënshkruar marrëveshjen e kredisë për programin “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”, marrëveshje kjo që kap vlerën prej 40 milionë dollarë.

Sipas një njoftimi për media, marrëveshja në fjalë mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.


“Marrëveshja me OPEC vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Murati u shpreh se reformat e mbështetura nga ky program riafirmojnë faktin se strategjia e Kosovës është e ngritur mbi themele të qëndrueshme fiskale dhe është në funksion të zhvillimit afatgjatë, duke konfirmuar edhe njëherë përkushtimin drejt realizimit të Programit Qeverisës.

“Në anën e tij, Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC, Dr. Alkhalifa vlerësoi lartë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, si dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, sipas njoftimit, ministri Murati shprehu mirënjohjen e tij ndaj Fondit OPEC për parneritetin e deritanishëm, dhe të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në projekte të tjera zhvillimore që janë në interes të qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/