Mijëra protestues në Shkup, kërkohet zbatimi i gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut

Studentët në Maqedoninë e Veriut, të përkrahur nga kolegët e tij nga Kosova dhe Shqipëria, kanë protestuar sot në Shkup, ku kërkuan zbatimin e gjuhës shqipe nëpër institucione.
Njëri nga organizatorët e protestës Mevlan Ademi, tha se policia ka arrestuar disa persona. Ai gjithashtu tha se studentët nga Tetova dhe Tirana janë ndaluar nga policia, ndërsa këta të fundit janë kontrolluar një nga një dhe janë devijuar në autostradë gjatë rrugës së tyre për në Shkup, raporton Telegrafi Maqedoni.
Ademi gjatë fjalimit të tij tha se protestat janë paqësore dhe kërkoi që organet e shtetit të veprojnë në mënyrën e njëjtë. Ai gjithashtu tha se kërkesa për zbatimin e gjuhës shqipe në institucione nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese e garantuar me Marrëveshjen e Ohrit.
"Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë. Kjo nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese, e drejtë e fituar me Marrëveshjen e Ohrit. Sa kohë duhet një student të presë që të jap provimin në gjuhën e tij. Nuk ka institucion që mund ta prek gjuhën shqipe, as Ministria e Drejtësisë as Gjykata Kushtetuese. Mos mendoni se me këtë që bëni do të zhduket gjuha shqipe. Gjuha shqipe nuk zhduket nga vendimet e zyrës. Ne kemi qenë para shumë pushteteve, e do të jemi pas shumë tjerëve. Kërkojmë institucione që respektojnë gjuhën tonë. Ne jemi zot në shtëpinë tonë. Nuk jemi kundër këtij shteti, jemi për barazi dhe korrektësi", tha Mevlan Ademi.
Ndërsa përfaqësuesi nga Universiteti "Nënë Tereza" tha se shqiptarët kanë kaluar kohëra edhe më të vështira, ndërsa gjuha shqupe nuk është zhdukur asnjëherë.
"Ne nuk jemi në tokë të huaj, jemi në tokën tonë, në tokën që e kemi amanet prej gjyshërve. Gjuha shqipe ka rrënjë. Nuk iu kërkojmë privilegje, kërkojmë barazi. Ministër, je ulur në karrigen e popullit, paguhesh me djersën e prindërve tonë, mos e merr atë karrige për të mirëqenë. Shqiptarët kanë kaluar kohëra edhe më të vështira, por gjuha shqipe as nuk është zhdukur as nuk do të zhduket. Zbatoni ligjin, nuk jemi këtu vetëm për provimin e Jurisprudencës, jemi këtu për respektimin e gjuhës, për dinjitetin dhe barazinë tonë. Maqedonia e Veriut nuk është vetëm e maqedonasve, është e shqiptarëve, e turqve, e romve dhe e gjitha komuniteteve tjera që jetojnë këtu", tha përfaqësuesi i studentëve në Universitetin "Nënë Tereza".
Besjan Rexhepi nga UEJL, i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, që të marrin seriozisht kërkesën e studentëve.
"Pas protestës së parë pritëm reflektim dhe përgjigje, por ajo që morëm heshtje dhe vonesë, si dhe përpjekje për të relativizuar kërkesën tonë. Po e themi qartë, nuk do të lodhemi duke kërkuar të drejtat e tona. Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë atë që është normale në çdo shtet. Si mund të na kërkojnë të ndërtojmë drejtësi nesër, kur sot ushtrojnë padrejtësi ndaj studentëve. Është çështje dinjiteti, barazie dhe e respektimit të qytetarëve të këtij vendi. I bëjmë thirrje ministrit të Drejtësisë, që mos ta trajtojë këtë çështje me arrogancë institucionale", tha studenti Besjan Rexhepi./Telegrafi/


















































