Raport alarmues, rritet numri i fëmijëve me mendime vetëvrasëse në vitin 2025

Shqetësues mbetet raporti i fundit i publikuar nga Ambasada e Parë e Fëmijëve – Megjashi, sipas të cilit gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e numrit të fëmijëve që kanë raportuar mendime vetëvrasëse apo tentativa për vetëvrasje.
Sipas raportit vjetor për funksionimin e linjës SOS “Allo Bushavko”, nga gjithsej 284 raportime të pranuara gjatë vitit, pjesa më e madhe kanë qenë të lidhura me problemet e shëndetit mendor. Operatorja e linjës, Milla Damjanovska, bëri të ditur se 83 fëmijë dhe të rinj kanë kërkuar ndihmë për gjendje që lidhen me ankth, depresion dhe probleme të tjera emocionale.
Ajo theksoi se shumica e thirrjeve kanë ardhur nga zonat urbane, ndërsa ndihmë u është ofruar edhe fëmijëve nga grupet e cenueshme sociale. Sipas saj, 12 nga rastet kanë qenë fëmijë që i përkasin pakicave etnike, 6 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe 3 pjesëtarë të komunitetit LGBT.
Një rast veçanërisht i rëndë u nda nga operatorja tjetër e linjës, Izabella Ivanovska, e cila tregoi se një vajzë kishte kontaktuar linjën për të raportuar gjendjen e rënduar psikologjike të shoqes së saj, me frikën se ajo mund të kryente vetëvrasje.
Pas komunikimit fillestar, nga “Megjashi” ishte kërkuar që rasti të njoftohej tek prindërit dhe autoritetet e shkollës. Megjithatë, vajza më vonë kishte kontaktuar sërish duke treguar se shoqja e saj nuk po merrte mbështetje nga familja dhe kërkonte që askush të mos ndërhynte më.
Në këto rrethana, ekipi i “Megjashi” kishte përgatitur menjëherë plan intervenimi dhe rasti ishte raportuar në polici, e cila kishte reaguar në terren dhe kishte arritur të parandalojë tragjedinë.
Ndërkohë, psikologia Jordanka Çerepnallkova Trajkoska apeloi që dhuna digjitale të trajtohet me të njëjtën seriozitet si dhuna fizike. Ajo kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet shkollave, qendrave sociale dhe institucioneve të sigurisë, duke theksuar se shërbimet profesionale duhet të fokusohen më shumë në mbështetjen direkte të fëmijëve.
Sipas të dhënave të publikuara, grupmosha më e prekur rezulton të jetë ajo 10-12 vjeç me 38 raste të raportuara, e ndjekur nga grupmosha 13-15 vjeç me 33 raste dhe ajo 7-9 vjeç me 27 raste.
















































