LAJMI I FUNDIT:

Miftaraj: Shtëpia e Lumezit duhet të mbikëqyret me kamera

Miftaraj: Shtëpia e Lumezit duhet të mbikëqyret me kamera

Qeveria e Kosovës ka dështuar të ndërtojë një sistem të mirëfilltë për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët e vendit, ka thënë Ehat Miftaraj, Instituti Kosovar për Drejtësi në Ora e Fundit në Klan Kosova.

“Qeveria e ka neglizhuar mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne e kemi kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës se si bëjnë mbrojtjen për gjyqtarë dhe prokurorë”, ka thënë Miftaraj.


Megjithatë ai ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të tregojnë profesionalizëm dhe guxim në punë.

Miftaraj, duke folur për rastin e vjedhjes në shtëpinë e Kryeprokurorit, Aleksander Lumezi, tha se Lumezi është megjithatë i privilegjuar, pasi ruhet 24 orë.

“Përderisa Kryeprokurori ka fatin që të ketë mbrojtje 24 orë, përkundër se e padobishme, këtë fat nuk e kanë të tjerët. Kryeprokurori është i privilegjuar në raport me kryetarin e gjykatës Supreme dhe të tjerët”, ka thënë Miftaraj.

Ai shtoi se është gjithsesi e çuditshme se si përkundër se ruhet nga policia shtëpia e Lumezit, dhe ndonëse aty duhet të ketë kamera, rasti ende nuk po zbardhet.

“Shtëpia e Lumezit duhet të ketë kamera dhe ato kamera është dashur të kapin ndonjë sinjal. Megjithatë ne duhet të presim, mos të supozojmë, derisa drejtësia të japë fjalën e saj. Edhe policia edhe prokuroria ta konsiderojë këtë rast si top prioritet që të zbardhet e vërteta sa më shpejtë që të jetë e mundur”.